Presidenti i Republikës Shqipërisë, Bajram Begaj i dha shtetësinë shqiptare Dua Lipës, këngëtares me origjinë shqiptare, të famshme tashmë në të gjithë botën.
Presidenti Begaj priti sot në një takim artisten e mirënjohur dhe vlerësoi talentin e saj, shpirtin artistik si dhe angazhimin e saj në mbështetje të kauzave sociale.
“Është kënaqësi e veçantë të presim sot artisten e madhe Dua Lipa. Them artiste e madhe, por ajo është edhe një vajzë e thjeshtë, që krenarinë më të madhe na e ka dhënë ne, Shqipërisë, Kosovës dhe kudo ku ka shqiptarë nëpër botë. Rinia shqiptare ju ka shembull e burim frymëzimi dhe ju keni treguar se ëndrrat arrihen duke punuar gjithnjë e më shumë. Nesër ne festojmë 110 vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe sot është zhvilluar mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës. Ndonëse arti nuk është i lidhur me politikën, ai i bën bashkë të gjithë njerëzit dhe me artin tënd, ti na ke bërë bashkë në këtë vit jubile! Me këtë rast, kam kënaqësinë t’ju jap shtetësinë shqiptare”, u shpreh presidenti Begaj.
Një yll i muzikës botërore tashmë, Dua Lipa lindi në Londër në 22 gusht 1995 në një familje shqiptare nga Kosova. Ajo u shkollua mes Londrës dhe Prishtinës, ku familja e saj u vendos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Talenti i lindur dhe përkushtimi për botën e muzikës dhe artit e ndihmoi të ngjiste me guxim dhe vendosmëri shkallët e karrierës artistike që në moshë të re.
Tashmë ajo numëron shumë çmime e vlerësime për kontributin e saj në muzikë dhe art, përfshi këtu edhe tre çmime Grammy.
Ndjeshmëria e saj për çështjet sociale në vende të ndryshme të botës e ka angazhuar Dua Lipën pranë UNICEF-it, në mbështetje të fushatave për të drejtat e fëmijëve.
Pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 në Shqipëri, Lipa u kërkoi adhuruesve të saj mbështetje dhe donacione si dhe organizoi një fushatë të mbledhjeve të fondeve bashkë me stilistë shqiptarë, të ardhurat e të cilës shkuan për familjet e viktimave të tërmetit, thuhet në faqen zyrtare të Presidentit të Shqipërisë.