Pas lajmit për vrasjen e një gruaje shtatzënë në oborrin e Klinikës Gjinekologjike të QKUK-së, kryeministri Albin Kurti ka reaguar duke thënë se ka ndodhur një vrasje mizore ku është shuar një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër, një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte.
Kurti në postimin e tij në Facebook ka thënë se kjo që ka ndodhur është e papranueshme.
Dy engjëj në qiellin e pistë
Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit.
Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë.
U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj.
E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua.
E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj.
Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme.