Rrjeti i Grave të Kosovës ka bërë thirrje se sot më 1 dhjetor do të mbahet protestë në Sheshin “Zahir Pajaziti”, për vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e Klinikës Gjinekologjike në QKUK.
Në nevojë emergjente për solidarizim me njëra-tjetren dhe njëri-tjetrin, për ngushëllim e manifestim të dhimbjes sonë kolektive dhe në nevojë për të shprehur mllefin tonë ndaj kësaj dhune sistematike, ku gratë vriten nga burrat, vetëm për shkak që janë gra, ju ftojmë të na bashkangjiteni në protestë, prej orës 16:00 tek Sheshi “Zahir Pajaziti”, Prishtinë.
Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare
Gra dhe vajza, jemi të rrezikuara!
Në gjumë, në përditshmëri, në institucione shëndetësore edhe edukative, hapësira publike edhe hapësira private, në parqe, rrugë, brenda mureve të shtëpive tona…
Asnjë hapësirë nuk është më e sigurtë për ne!
Brenda një jave, dy burra vranë dy gra. Nuk u vranë gratë! Burrat i vranë gratë! I vranë sepse institucionet i inkurajuan, me dënime të ulëta. I vranë sepse kultura e pandëshkueshmërisë, e forcon mendësinë patriarkale!
Prandaj, ftojmë të gjithë ata që bashkëndjejnë të na bashkohen nesër në revoltë, thuhet në postimin në Facebook të RrGK-së.