Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka lansuar “Kurrikulën për trajnimin e profesionisteve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje në Republikën e Kosovës”, i cili është hapi i parë institucional përmes së cilës synohet që kryerësit e veprave penale të dhunës të kenë trajtim psiko-social, përmes ofrimit të programeve adekuate.
I pranishëm në lansimin e Kurrikules, ishe edhe Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë Frank Power.
Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu tha se përgjatë vuajtjes së dënimeve, dhunuesit duhet të kenë trajtim psiko-social, përmes ofrimit të programeve adekuate ku edukohen dhe ndryshohen në të mirë, sjelljet e tyre të papërgjegjshme e të dënueshme.
Ministrja Haxhiu tha se Kurrikula e lansuar, buron nga Strategjia Kombëtare për Parandalim dhe Mbrojtje ndaj Dhunës në Familje dhe Dhunës ndaj Grave 2022-2026 si dhe është në përputhje me Konventën e Stambollit e cila përcakton se palët duhet të ndërmarrin masat e nevojshme legjislative ose masa të tjera për të krijuar ose mbështetur programe që synojnë edukimin e kryerësve të dhunës në familje.
Me lansimin e Kurrikulës sipas Haxhiut, Ministria e Drejtësisë do të vendosë kornizat e zhvillimit, implementimit dhe ofrimit të programeve për kryerësit e dhunës në familje në Kosovë.
Ministrja Haxhiu tha se Kurrikula definon dhe përcakton këto elemente kryesore për ndërtimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje: principet, qasjet, strukturën, kohëzgjatjen, profilin e ofruesve të këtyre shërbimeve, dhe vlerësimin e programeve.
Gjatë këtij muaji, sipas ministres Haxhiu do të fillohet menjëherë me trajnimin e trajnerëve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje, bazuar në Kurrikulë.
Ministrja Haxhiu vlerësoi lartë mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, konsulentëve të angazhuar, partnerëve strategjik, përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë, OJQ-të, për hartimin e kësaj Kurrikule, duke vlerësuar se falë kontributit të tyre është krijuar një mekanizëm i mirë i cili ka munguar për të trajtuar dhe adresuar profesionalisht këtë çështje, thuhet në postimin në Facebook të MD-së.