Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në tryezën “Përafrimi i legjislacionit të Kosovës me parimet e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar”, ku janë prezantuar gjetjet e Avokatit të Popullit lidhur me gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar në vend.
Ministrja Nagavci me këtë rast ka theksuar se, vendimi për të përafruar legjislacionin e Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara me atë ndërkombëtarë është veprim i duhur sepse integrimi dhe gjithëpërfshirja e këtyre personave e përmirëson gjendjen në shoqëri, në të gjitha sferat.
Nagavci përmendi një varg reformash që janë bërë nga MASHTI, përfshirë shndërrimin e shkollave speciale në qendra burimore të cilat shërbejnë për mbeshtetje profesionale ndaj shkollave të zakonshme.
Ajo foli edhe për punësimin e asistentëve ku tha se aktualisht janë 200 asistentë të punësuar në shkolla kurse në vitin 2023 planifikohet punësimi edhe i 300 asistentëve tjerë.
Po ashtu theksoi se jemi në fund të procesit të akreditimit të programit për aftësimin e personave që njohin gjuhën e shenjave, dhe të aftësojmë mësimdhënësit në njohjen e komunikimit Alternativ dhe Augmentativ për personat me vështirësi në komunikim verbal.
Ministrja Nagavci përmendi edhe Sintezën Vokale për personat e verbër ku tha se është duke u jetësuar dhe se vitin e ardhshëm do të mund të përdoret në mënyrë që teksti të shndërrohet në zë si mundësi e barabartë për shkollim.
Avokati i Popullit, Naim Çelaj ndërkaq theksoi se, sipas të dhënave të cilat janë mbledhur nga ky Institucion rezulton se ka një kornizë të mangët ligjore e cila mbron të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, andaj theksoi nevojën për përkushtimin e institucionit të Avokatit të Popullit në këtë drejtim.
Ndërsa, Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport tha se, duhet bashkuar forcat për të punuar drejt një gjithëpërfshirje dhe mosdiskriminimi të personave me aftësi të kufizuara.
Në këtë Tryezë, Avokati i Popullit bashkë me përfaqësues të institucioneve publike, të organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe mediave diskutuan për gjendjen, sfidat, si dhe veprimet e autoriteteve në drejtim të zbatimit të legjislacionit në fuqi dhe të parimeve të Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, thuhet në postimin në Facebook të MASHTI-t.