Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës së fundmi publikuan thirrjen e 13-të për aplikime për programin e BE-së të bursave pasuniversitare Young Cell Scheme. Thirrja do të jetë e hapur deri më 27 dhjetor 2022 dhe mund të aplikojnë të gjithë studentët e diplomuar, pasuniversitar dhe nëpunësit civil nga Kosova të cilët janë të lindur pas 1 janarit 1988.
Aplikuesve të suksesshëm do t’u ofrohet mundësia për të studiuar në programet Master një ose dy-vjeçare në një nga universitetet në Shtetet Anëtare të BE-së. Programi do të ofroj deri në 45 bursa të plota ndërsa studimet do të jenë në gjuhën angleze.
Kjo thirrje është, ndër të tjera, e hapur për të diplomuar në drejtësi, administratë publike, menaxhim burimesh njerëzore, ekonomi, financa, menaxhment, energji, mjedis dhe ndryshime klimatike, transport, shkenca të aplikuara dhe shkenca sociale.
Përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë ose të ndryshme dhe gratë inkurajohen fuqimisht të aplikojnë.
Të gjithë aplikuesit e interesuar duhet të vizitojnë faqen e mëposhtme https://ycskosovo.org për t’u regjistruar dhe për të marrë udhëzime të mëtejshme.
BE-ja dhe Qeveria e Kosovës bashkërisht e financojnë programin në vlerë prej 6 milionë euro. Thirrja e 13-të zbatohet nga Konsorciumi i Universitetit Aristotele të Selanikut nga Greqia dhe Institutit Kombëtar të Shërbimit Publik nga Franca, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së BE në Kosovë.