Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në konferencën e mbajtur sot për media ka thënë se Ministria që ai drejton nuk ka marrë kurrfarë vendimi për rritjen e tatimit në pronë.
Çështja e tatimit në pronë është e rregulluar me Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme i miratuar në vitin 2018, i cili obligon MFPT-në që të bëjë vlerësimin e pronave të paluajtshme. I njëjti, parasheh që në vitin e 5-të tatimor (viti 2023) të mos ketë zbritje të përgjithshme për tatimin e pronave, në dallim nga viti i kaluar ku është zbatuar zbritja e përgjithshme prej 20%. Pra, këtë vit për herë të parë është bërë faturimi i plotë i tatimit në tokë.
Departamenti i Tatimit në Pronë, në kuadër të MFPT, ka përfunduar vlerësimin e pronave më datë 31.10.2022, ku po në të njëjtën datë raportet e vlerësimit i’u janë përcjellur Komunave. Komunat kanë pasur afat 1 muaj për të parashtruar kërkesë për rishqyrtim të vlerave, por që vetëm 3 komuna e kanë kërkuar një gjë të tillë dhe kërkesat e tyre janë adresuar duke bërë përmirësimet e kërkuara.
Ministri Murati gjithashtu theksoi se MFPT është aktualisht në proces të hartimit të ligjit të ri për tatimin e pronave, i cili synon adresimin e vështirësive dhe probleme të shfaqura në procesin e tatimit të pronave. Përkatësisht, ligji i ri parasheh lirimin nga tatimi për pronën primare, si dhe fleksibilitet më të lartë në përcaktimin e normave tatimore nga komunat.
Mirëpo, “meqenëse të hyrat nga tatimi në pronë janë ekskluzivisht të hyra të komanave, do të për të në duhet konfirmimi i komunave për të ndërmarrë një hap të tillë”, u shpreh Murati.
Duke konsideruar situatën aktuale dhe vështirësitë që vlera e shtuar e faturave mund të ketë në mirëqenien e qytetarëve, ministri Murati shprehu gatishmërinë që në ligjin e ri të përfshihet një dispozitë kalimtare që parasheh lirimin nga një pjesë e barrës tatimore për faturat tatimore të këtij viti, thuhet në komunikatën për media e MF-së.