Ministria e Mbrojtjes njofton se në Kazermën e FSK-së në Istog ka kapluar zjarri njërin nga objektet ku menjëherë në vendngjarje kanë intervenuar pjesëtarët e Regjimentit të dytë të Këmbësorisë dhe personeli përkatës i Komandës së Forcave Tokësore, të cilët të mbështetur nga Njësia e Zjarrfikësve të Istogut, Klinës, Pejës dhe Skenderajt kanë arritur të lokalizojnë zjarrin duke e kufizuar vetëm brenda perimetrit të këtij objekti montazh, kësisoj duke mënjanuar mundësinë e përhapjes në objektet e tjera përreth.
Paraprakisht, nga vendngjarja është evakuar me kohë personeli.
Tani zjarri është shuar tërësisht dhe ekipet e specializuara të FSK-së janë duke punuar për sanimin e gjendjes dhe eliminimin e dëmeve tjera kolaterale.
Shkaku dhe pasojat e zjarrit janë duke u hetuar nga autoritetet përgjegjëse për menaxhimin e sigurisë së FSK-së, por dyshohet të kenë qenë si pasojë e instalimit të vjetëruar të energjisë elektrike, thuhet në postimin në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes.