Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vizituar komunën e Gjakovës, me ç ‘rast është takuar me kryetarin Ardian Gjinin, ku kanë diskutuar për fuqizimin e nivelit qendror dhe lokal në luftimin e dhunës në familje.
Ministrja Haxhiu tha se mbetet obligim institucional që të ndërtojmë kapacitetet të reja dhe t’i fuqizojmë ato ekzistuese për parandalimin e dhunës në familje.
Në këtë takim, ministrja Haxhiu tha se mbështetja institucionale ndaj viktimave të dhunës nuk duhet të mungoj asnjëherë ndërsa potencoi se shkaktarët e dhunës në familje duhet të marrin dënim meritor.
Ministrja Haxhiu vlerësoi lartë krijimin e Mekanizmit Koordinues Kundër Dhunës në Familje në Komunën e Gjakovës, anëtarët e së cilës i falënderoi dhe kërkoi përkushtim maksimal në luftën kundër dhunës në familje.
Ndërsa kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, falënderoi ministren Haxhiu për bashkëpunim në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me dhunën, në veçanti dhunën në familje, thuhet në postimin në Facebook të MD-së.