Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.
Kryetari Konjufca e falënderoi ambasadorin Sakar për bashkëpunimin e frytshëm dhe kontributin e tij në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Po ashtu, kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Turqisë ndaj Republikës së Kosovës në proceset e shtetndërtimit dhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar.
Në takim u vlerësuan të shkëlqyera raportet e deritashme dhe u ritheksua gatishmëria e dyanshme për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, thuhet në komunikatën për media e Kuvendit të Kosovës.