Amabasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier ka uruar 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Hovenier ka thënë se ka parë përparimin e madh që populli i Kosovës e ka arritur gjatë 15 viteve të shkuara, ky është rezultati i punës së palodhshme dhe përkushtimit të popullit të Kosovës për të çuar përpara sovranitetin, pavarësinë dhe demokracinë e vendit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare të mbështetjes të hershme dhe të vazhdueshme për Kosovën dhe të partneritetit me popullin e Kosovës përderisa ky vend i ri e merr vendin e saj të duhur në strukturat evropiane, euroatlantike dhe ndërkombëtare, thuhet në faqen zyrtare të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë.
15 vjet më parë, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.
Vetëm një ditë më pas, më 18 shkurt 2008, Shtetet e Bashkuara të Amerikës zyrtarisht njohën Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Në atë rast, Sekretarja e atëhershme e Shtetit, Condoleezza Rice (Kondoliza Rajs) tha: „Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona do të vërtetojë lidhjet e posaçme të miqësisë që kanë bërë bashkë popullin e Shteteve të Bashkuara dhe atë të Kosovës”.
Kosova ka pasur udhëtim të jashtëzakonshëm gjatë 15 viteve të shkuara.
Gjatë kësaj dekade e gjysmë – dhe më shumë – kam pasur privilegjin dhe nderin të jem dëshmitar i kësaj historie të pabesueshme. Personalisht e kam parë përparimin e madh që populli i Kosovës e ka arritur gjatë 15 viteve të shkuara.
Mbani në mend: ky është rezultati i punës së palodhshme dhe përkushtimit të popullit të Kosovës për të çuar përpara sovranitetin, pavarësinë dhe demokracinë e vendit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare të mbështetjes sonë të hershme dhe të vazhdueshme për Kosovën dhe të partneritetit me popullin e Kosovës përderisa ky vend i ri e merr vendin e saj të duhur në strukturat evropiane, euroatlantike dhe ndërkombëtare.
Kemi qenë me ju prej fillimit dhe partneriteti ynë mbetet i fortë si guri.
Përderisa shohim përpara, i çmojmë dhe i kuptojmë përpjekjet e Kosovës për të ndërtuar të ardhme të begatshme, të qëndrueshme dhe të sigurt.
Ne jemi këtu për t’ju përkrahur dhe për të bashkëpunuar me ju. Do të vazhdojmë të thellojmë këtë partneritet sepse, në thelb, marrëdhënia jonë ka të bëjë me vlerat tona të përbashkëta të lirisë, demokracisë, pavarësisë dhe diversitetit.
Prandaj, sot, përderisa shënojmë këtë rast të paharrueshëm dhe në emër të popullit amerikan, jam krenar që mund t’ju shpreh urimet më të përzemërta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Urime Dita e Pavarësisë, Kosovë!