Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ndezjen e qirinjve në përkujtim dhe nderim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës 1998-1999, në Kosovë, organizim ky në kuadër të agjendës shtetërore të 15-vjetorit të Pavarësisë, e që u mbajt para Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Kryeministri Kurti ka thënë se Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë” do të jetësohet. Ne do ta nderojmë edhe lartësojmë kujtimin për fëmijët e vrarë gjatë luftës, duke punuar pa u ndalur për ta avancuar lirinë dhe demokracinë, arsimin edhe shëndetësinë, mirëqenien edhe barazinë, drejtësinë por edhe mbrojtjen dhe sigurinë, ashtu që askush asnjëherë në të ardhmen të mos guxojë më t’i prekë fëmijët tanë, t’ju prekë juve.
Këtu jemi bashkë më presidenten Vjosa dhe me kryetarin Glauk, edhe me ministra të Qeverisë, në këtë aktivitet që bashkë me juve tregon që pavarësisht humbjeve, dhembjeve, vuajtjeve tona, ne jemi bashkë, ne fitojmë, ka shpresë për vendin tonë dhe kjo shpresë jeni ju fëmijët e Kosovës, i gjithë populli i Republikës tonë.
Ju po e mbani nga një qiri në duart tuaja në këtë buzëmbrëmje dhe gjithsej i kemi 1133 qirinj, sepse secili prej këtyre qirinjve tregon për një fëmijë që është vrarë gjatë luftës e nuk është në mesin tonë.
Andaj, ne ata i kujtojmë dhe ne ata kurrë nuk do t’i harrojmë. Sakrifica e popullit tonë është e madhe, plagët e luftës janë të thella. Është e pafund dhimbja. Mirëpo, gëzimi e lumturia juaj nuk ka pikëllim që nuk e mund. Kur ne ju shohim juve zemra në bëhet mal, e mbushemi përplot gëzim e lumturi, sot e për të ardhmen.
Ju duhet të mësoni sa më shumë e sa më mirë, në bankat e shkollës, ta duani nënën e babain, mësuesen e arsimtarët, ta doni njëri-tjetrin, të luani bashkë, të lexoni sa më shumë dhe kësisoj presidentja, kryetari dhe unë jemi një urë për ardhmërinë e vendit tonë, të cilën ju do ta ndërtoni edhe më mirë se ne vet, edhe shumë më mirë se sa ata që ishin më herët, por gjithmonë duke mos i harruar ata të cilët kontribuuan, u vetmohuan dhe dhanë edhe jetën e tyre që ne të jetojmë të lirë, të pavarur e të gëzuar.
“Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë” do të jetësohet. Grupi punues kryesohet nga Saranda Bogujevci, e cila është nënkryetare e Kuvendit dhe e cila e ka mbijetuar masakrën e 28 marsit 1999, kur 7 fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç të familjes Bogujevci, Duriqi edhe Llugaliu, u patën pushkatuar në Podujevë nga njësiti policor serb “Shkorpionët”.
Të dashur fëmijë,
Të dashur qytetarë,
Ne do ta nderojmë edhe lartësojmë kujtimin për fëmijët e vrarë gjatë luftës, duke punuar pa u ndalur për ta avancuar lirinë dhe demokracinë, arsimin edhe shëndetësinë, mirëqenien edhe barazinë, drejtësinë por edhe mbrojtjen dhe sigurinë, ashtu që askush asnjëherë në të ardhmen të mos guxojë më t’i prekë fëmijët tanë, t’ju prekë juve.
Ju po rriteni bashkë me Republikën e Kosovës. Shumica e juve jeni më të rinj se sa Pavarësia e Kosovës, mirëpo unë ju dëshiroj shëndet e suksese e të jetoni shumë gjatë sikur Republika jonë, si pavarësia jonë. Përgjithmonë, përjetë!
Urime e gëzuar edhe një herë të gjithëve!