Me rastin e 15- vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, trupat e Forcës së Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës parakaluan në tri sheshe emblematike, të cilat përmbledhin dhe gërshetojnë një pjesë të madhe të historisë.
Forcat e Sigurisë filluan nga sheshi që mban emrin e arkitektit të shtetit të Kosovës, atit themeltar, presidentit historik, “Ibrahim Rugova” dhe vazhduan nëpër sheshin “Nëna Terezë” dhe më pas nderimit ndaj 15-vjetorit të pavarësisë së shtetit, kuadratet e tyre kthehen në kazermën, e cila mban emrin e ikonës së luftës çlirimtare, komandantit legjendar Adem Jashari.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës ka thënë se në 15-vjetorin e pavarësisë së shtetit tonë, Republikës së Kosovës, kujtojmë me respekt të thellë sakrificën e të gjithë atyre që luftuan trimërisht e ranë heroikisht për ta siguruar lirinë dhe për ta bërë të mundshme një Kosovë demokratike ku të gjithë janë të barabartë para ligjit.
Kuadratet e ushtrisë, të cilat sot parakalojnë para nesh së bashku me Policinë e Kosovës janë pjesa më e ndritshme e historisë sonë të re dhe ndërlidhja e dy periudhave historike, të cilat i dhanë udhë lirisë sonë, shtetformimit dhe shtetndërtimit, tha Osmani.
Presidentja Osmani ka falënderuar edhe miqtë tanë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës aleatët tanë të përjetshëm dhe të gjitha shtetet anëtare të NATO-s si dhe shtetet e tjera mike anekënd botës, të cilat duke mbështetur të drejtën tonë për të jetuar të lirë, u vendosën në anën e duhur të historisë, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.
Shumë të dashur qytetarë të Republikës sonë, ju faleminderit që çdo ditë i bëni nder Kosovës, dhe çdo ditë e lartësoni flamurin e Republikës sonë.
Sot jemi mbledhur për të festuar një vit tjetër pavarësie, një vit tjetër lirie dhe një vit tjetër përparimi.
Republika jonë mbanë vulën e sakrificës së tre mijë dëshmorëve të UÇK-së të cilët u udhëhoqën nga komandanti legjendar Adem Jashari. Liria, pavarësia dhe shteti ynë janë testamenti i tij dhe i shumë brezave, ndaj përulemi me respekt para tyre!
Sikurse ushtria jonë që dëshmohet e na bën krenarë çdoherë, edhe Policia e Kosovës, e cila së fundi u përballë me angazhim të shtuar nga zhvillimet në veri të vendit ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin, por mbi të gjitha për ta ruajtur sovranitetin në çdo cep të Republikës së Kosovës.
Këta vajza e djem, janë pasardhësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët e kthyen dhe mbrojtën dinjitetin e popullit tonë.
Prandaj, faleminderit secilit veç e veç!
Forca jonë është profesionale dhe e gatshme kurdo në mbrojtjen e sovranitetit dhe të paprekshmërisë së territorit të Republikës sonë, andaj sot së bashku me ju qytetarë të nderuar do të kemi mundësinë që ushtrisë sonë e Policisë sonë t’i themi së bashku faleminderit gjatë këtij parakalimi.
Si shoqëri dhe si shtet i detyrohemi ushtarëve tanë e policisë sonë si dhe sakrificës së tyre. Ata janë mishërim i vetëmohimit dhe i shërbimit.
E pavarësia jonë nuk është vetëm çlirim nga robëria, por edhe përpjekje e çdoditshme e jona për një shoqëri të bazuar në drejtësi, barazi dhe prosperitet për të gjithë qytetarët pa dallim.
Prandaj, le të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për vendin tonë dhe brezat që do të vijnë. Periudha në të cilën po kalon shteti ynë, në këtë kohë të sfidave dhe kërcënimeve globale, shton nevojën e bashkimit tonë në një front, në të mirë të Republikës. Sepse, vetëm kur jemi bashkë jemi të suksesshëm. Republika jonë është e shenjtë dhe ne duhet ta trajtojmë dhe ta ruajmë si të tillë.
Republika e Kosovës është e përjetshme, siç do të jenë të vazhdueshme edhe përpjekjet tona për ta fuqizuar atë dhe për të vazhduar për t`u ndje krenarë me shtetin, i cili është interesi ynë mbi secilin interes tjetër.
Zoti e bekoftë Ushtrinë dhe Policinë tonë!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj!