Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, është takuar me Presidentin e Republikës së Letonisë, Egils Levits.
Presidentja Osmani ka falënderuar presidentin Levits për angazhimin e tij dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën në skenën ndërkombëtare, përfshirë në proceset e anëtarësimit në strukturat euroatlantike dhe organizata të tjera ndërkombëtare, ndërsa ka theksuar se Letonia mbetet mike dhe aleate e fortë e Republikës së Kosovës.
Presidentja e informoi presidentin Levits mbi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si dhe zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë. Ajo tha se Kosova vazhdon të kontribuoj në mënyrë aktive në procese të paqes dhe stabilitetit.
Presidentja Osmani dhe Presidenti Levits u dakorduan për intensifikim të bashkëpunimit në muajt në vazhdim për ta avancuar procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ku Letonia merr zyrtarisht Presidencën që nga muaji maj i këtij viti, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.