Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot me Medaljen Presidenciale Ushtarake pjesëtarët e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të angazhuar në misionin humanitar të kërkim-shpëtimit, pas tërmetit në Turqi.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili, gjeneralë dhe oficerë të lartë të FSK-së si dhe familjarët e pjesëtarëve të Kontingjentit të FSK-së që ishin me mision në Turqi.
Me këtë rast, presidentja Osmani ka deklaruar se Kontingjenti i FSK-së u nderua për trimërinë, guximin e sakrificën e pashoq për shpëtimin e jetëve të njerëzve të prekur nga tragjedia e tmerrshme e tërmeteve në Turqi, duke theksuar se: “Forca jonë e Sigurisë mbetet sinonim i paqes dhe sigurisë në vend dhe në botë”, thuhet në postimin në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes.
“Sot nderova Kontigjentin e Forcës së Sigurisë së Kosovës të angazhuar në misionin humanitar të kërkim-shpëtimit në Turqi me Medaljen Presidenciale Ushtarake, për trimërinë, guximin e sakrificën e pashoq për shpëtimin e jetëve të njerëzve të prekur nga tragjedia e tmerrshme e tërmeteve në Turqi.
Forca jonë e Sigurisë mbetet sinonim i paqes dhe sigurisë në vend dhe në botë”, ka thënë presidentja Osmani.