Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ishte sot folës kryesor, bashkë me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Szunyog, në konferencën vjetore “PAR-Progresi në Kosovë 2023”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Kurti potencoi rëndësinë e reformës në administratën publike, për të cilën vlerësoi se është parakusht për zhvillim edhe të sektorëve të tjerë dhe shtoi se Republika e Kosovës qartazi e ka përcaktuar orientimin dhe politikat e saj shtetërore drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian
“Në kontekstin e modelit që adreson këto kërkesa për reformim, për Qeverinë ka qenë jetik fokusi që procesi në tërësi të jetë i bazuar në parime dhe vlera të cilat ne i ndajmë me shtetet demokratike, pra meritokraci, transparencë, llogaridhënie, efikasitet dhe mosdiskriminim”, tha Kurti.
Më tej, ai tha se Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë që ndërlidhen me reformën në administratë publike, i cili është fokusuar në planifikimin strategjik e i cili ngërthen Planin Kombëtar për Zhvillim; aprovimin e Strategjisë për Reformë në Administratë Publike për periudhën 2022-2027; Strategjinë për e-qeverisje dhe atë për siguri kibernetike, që përbëjnë njashtu boshtin e një planifikimi të mirëfilltë të reformave, si dhe hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga në Sektorin Publik. Për këtë të fundit, kryeministri tha se për herë të parë kemi një sistem të unifikuar të pagës në sektorin publik dhe po mënjanohet pabarazia drastike në pagë, çfarë ishte në të kaluarën, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Sot nuk përbën më risi fakti që një administratë publike efikase është parakusht thelbësor i zhvillimit edhe të sektorëve tjerë njëjtë. Nuk paraqet risi as fakti që reforma në administratë publike, është një prej objektivave kyçe në programin e Qeverisë sonë.
Në ndërlidhjen mes shtetit, qytetarëve dhe sektorit privat, jetësohet roli i administratës publike. Po ashtu, shpërfaqet nevoja që ndërveprimi midis këtyre akterëve të jetë parimor.
Republika e Kosovës, qartazi e ka përcaktuar orientimin dhe politikat e saj shtetërore drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kemi ndërmarrë barrën e reformimit të sektorëve jetik, përfshirë këtu edhe reformimin e administratës publike.
Faktorët dhe shkaqet që kanë ndikuar në nevojën e një reformimi thelbësor në administratën publike kanë variuar përgjatë viteve. Megjithatë, në mënyrë konstante ata kanë ngërthyer urgjencën që administrata t’i përgjigjet zhvillimit të kohës dhe kontekstit social në vend. Që administrata jonë publike të ketë kapacitetet e nevojshme për bartjen e proceseve të synuara të integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe të ofrimit të shërbimeve si në kohë ashtu edhe me cilësi.
Në kontekstin e modelit që adreson këto kërkesa për reformim, për Qeverinë ka qenë jetik fokusi që procesi në tërësi të jetë i bazuar në parime dhe vlera të cilat ne i ndajmë me shtetet demokratike. Pra meritokraci, transparencë, llogaridhënie, efikasitet dhe mosdiskriminim.
Përmes vendosjes së këtyre parimeve në administratën publike, synohet garantimi i cilësisë, trajtimi i barabartë, ofrimi cilësor i shërbimeve dhe profesionalizmi i resurseve në kuadër të institucioneve publike.
Vetëm një qasje tërësisht e bazuar në këto parime, mund të adresojë sfidat e evidentuara në të kaluarën si në raportet vendore poashtu edhe ato ndërkombëtare.
Këto raporte kanë potencuar se:
- Kemi politizim në proceset e rekrutimit dhe mungesë të meritokracisë;
- Pastaj që në Kosovë kishim mungesë të profesionalizmit, përfshirë mungesën e zhvillimit profesional dhe të trajnimeve kualitative;
- Se ka mungesë të llogaridhënies dhe gjithashtu
- Mungesë të matjes adekuate të performancës.
Në vitet e shkuara pra raportet vendore e ndërkombëtare i kanë gjetur këto katër konstatime të cilat ne duhet t’i adresojmë edhe në plotni edhe me urgjencë.
Padyshim që me këto dukuri dhe mungesa që kanë përcjellur administratën tonë ndër vite, besimi i qytetarëve karshi institucioneve publike e veçanërisht karshi proceseve të rekrutimit, është zbehur. Kjo mandej në efektin zinxhir ka shkaktuar joefikasitet, në ngecje të ofrimit të shërbimeve, në cilësi dhe në reformën e zhvillimin e sektorëve të tjerë që janë po ashtu të rëndësishëm për shoqërinë.
Kjo ka qenë shtysë që Qeveria të tregojë vullnetin e plotë politik për të adresuar sfidat, përmes veprimeve konkrete ndaj reformimit të administratës publike në vendin tonë.
Fillimisht, procesi reformues është fokusuar në planifikimin strategjik e i cili ngërthen Planin Kombëtar për Zhvillim; aprovimin e Strategjisë për Reformë në Administratë Publike për periudhën 2022-2027; Strategjinë për e-qeverisje dhe atë për siguri kibernetike, që përbëjnë njashtu boshtin e një planifikimi të mirëfilltë të reformave.
Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme, ka udhëhequr reformën thelbësore legjislative në fushën e administratës publike. Një reformë ambicioze që synon rregullim të drejtë ligjor të sfidave me të cilat është përballur administrata jonë.
Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga në Sektorin Publik në fillim të këtij muaji, në Republikën e Kosovës, për herë të parë kemi një sistem të unifikuar të pagës në sektorin publik dhe po mënjanohet pabarazia drastike në pagë, çfarë ishte në të kaluarën. Në pajtim me programin qeverisës, dallimi mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët, nga 20 sa ishte dikur, tani është zbritur në vetëm 4.78 herë. Pra, nga 1 me 20, është edhe më mirë se 1 me 5. Kemi rritje të buxhetit për paga prej 105 milion euro. Po sigurohet fryma e drejtësisë dhe realizimi konkret i saj në hierarkinë e pagave, duke filluar nga kreu i shtetit me 1890 euro si paga më e lartë dhe asaj më e ulët, që është 395 euro.
Në dhjetor të vitit që lamë pas, Kuvendi i Republikës ka miratuar Ligjin për Zyrtarët Publik, që synon reformimin e burimeve njerëzore në kuadër të administratës publike dhe ofrimin e zgjidhjeve për institucionet publike drejt një performance më të mirë. Ky ligj është sfiduar nga opozita në Gjykatën Kushtetuese dhe presim vendimin përfundimtar të gjykatës. Megjithëkëtë, organet bartëse të reformës legjislative janë përkujdesur në respektimin e garancave dhe parimeve kushtetuese në çështjet të cilat i rregullon ky ligj.
Këto dy ligje synojnë profesionalizimin e administratës publike përmes promovimit të meritokracisë, krijimin e mundësive për tërheqjen dhe mbajtjen e kapaciteteve profesionale në sistemin tonë institucional, shpërblimin e drejtë të kontributit ndaj shtetit, kthimin e trurit nga diaspora, krijimin e mundësive për avancim për zyrtarët brenda administratës dhe ndërveprim me sektorin privat. Zbatimi i tyre do të rezultojë në rritjen e performancës së administratës publike, në rritjen e efikasitetit dhe të cilësisë së shërbimeve që sikur qytetarët ashtu edhe bizneset presin me të drejtë që t’i marrin.
Të nderuar pjesëmarrës,
Besoj që është evidente se Republika e Kosovës ka bërë progres në fushën e digjitalizimit në administratën publike. Një numër i madh i shërbimeve publike është digjitalizuar dhe platforma shtetërore e-Kosova ka aktualisht mbi 761 mijë përdorues të regjistruar. Pra, përafërsisht sa dy anëtarë në familje apo dyfishi i familjeve që kemi në Kosovë.
310 milionë vizita të bëra në këtë platformë dhe marrja e shërbimeve vetëm në kategorinë “familja” dhe “gjendja civile” plot 707 mijë herë, paraqesin fluksin e paraqitjes fizike në sportele që është mënjanuar përmes teknologjisë, kursimin e kohës për palën dhe për institucionin, si dhe rritjen e efikasitetit në marrjen e shërbimit nga qytetarët. Digjitalizimi i shërbimeve publike dhe procedurave administrative është gjithashtu prioritet në kuadër të reformimit dhe do të intensifikohen veprimet specifike përgjatë këtij viti.
Më këtë rast, i shpreh falënderimet e mia për të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë që na kanë përkrahur në rrugëtimin jo të lehtë të reformës në administratën publike.
Ka një studim të Iniciativës Evropiane për Stabilitet – ESI, mbase para më shumë se një dekade përafërsisht, i cili bënë ndërlidhjen midis efikasitetit të administratës publike dhe shpejtësisë së integrimit evropian. Dhe del që nuk ka një ndërlidhje tjetër më të rëndësishëm për shpejtësinë e integrimit evropian për shtetet e kontinentit tonë sikurse ajo me efikasitetin e administratës publike. Madje, kjo ja tejkalon edhe rritjes ekonomike edhe sundimit të ligjit, andaj ne e marrim me kaq prioritet. Nuk mbaj mend nëse European Stability Initiative, pat marrë guximin për të konstatuar kauzalitet midis administratës publike dhe integrimit evropian apo kanë qenë modest dhe kanë konstatuar vetëm korrelacion, por ndërlidhja është shumë, shumë evidente.
Kjo reformë rrënjësore e filluar do të sjellë efikasitet, transparencë dhe llogaridhënie, për të adresuar kështu kërkesat dhe pritshmëritë që qytetarët kanë karshi institucioneve. Ne jemi tërësisht të përkushtuar në rolin dhe obligimet tona drejt përmbushjes së këtyre synimeve.