Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, priti në takim pjesëtarët e Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim, të kryesuar nga Milaim Kelmendi. Me këtë rast, Ministri Mehaj, i përgëzoi përzemërsisht për kontributin e tyre vullnetar dhe profesionalizmin e treguar në operacionin e kërkim-shpëtimit, në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi, ku ata patën sukses që nga rrënojat të nxjerrin dy persona të gjallë, në mesin e tyre një fëmijë, si dhe largimin e dhjetëra kufomave nga objektet e rrënuara.
Në këtë takim, pjesëtarët e Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim shpalosën përvojat, përjetimet dhe sukseset e treguara gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti. Ata gjithashtu treguan për bashkëpunimin e ngushtë që kanë pasur me pjesëtarët e kontingjentit të FSK-së që ishte në Turqi, si dhe pritjen miqësore nga ana e vendasve.
Ministri Mehaj theksoi se për të ngritur më tej profesionalizimin e Shoqatës për Kërkim-Shpëtim, krahas trajnimeve të tjera që ata kanë, atyre do tu ofrohet edhe mundësia e trajnimeve profesionale në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim në Pomozatin, thuhet në postimin në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes.