Komuna e Prishtinës njofton për nisjen e një projekti të ri që synon krijimin e rrugëve më të sigurta për fëmijët e kryqytetit.
Nëpërmjet projektit “Rrugët për Fëmijë” do të krijohet një mjedis më i sigurt dhe i këndshëm për fëmijët në hapësirat përreth shkollave të tyre.
Pas disa muajsh analizë, matje, projektim, planifikim e takime me qytetarë, ju njoftojmë se punimet do të fillojnë të enjten, me datë 16 mars 2023, duke nisur me hapësirat përreth Sh.F.M.U “Elena Gjika”.
Nga kjo ditë, rruga që prej Bulevardit “Zejnel Saliu”, nga udhëkryqi i rrugës “Emin Duraku”, deri te kryqëzimi me rr. “Ernest Koliqi”, do të mbyllet përherë për qarkullimin e mjeteve motorike.
Siguria e fëmijëve është prioriteti ynë!
Sigurisht, me përjashtim të veturave të emergjencës, zjarrfikësve dhe veturave të policisë, veturave zyrtare dhe ato të parapara me ligj – për të cilat do të ketë pistona lëvizës që mundësojnë qarkullimin në raste emergjente.
Komuna e Prishtinës me këto intervenime mund të bëjë një ndryshim të rëndësishëm në jetën e banorëve më të rinj dhe të njëjtin koncept do ta aplikojnë edhe në rrugët tjera përreth të gjitha shkollave të kryeqytetit, thuhet në postimin në Facebook të Komunës së Prishtinës.






