Gjatë qëndrimit për vizitë pune në Tiranë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mirëprit për një drekë pune nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Fokusi i takimit ishin bisedimet e 18 marsit në Ohër dhe dakordimi për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë, të 27 shkurtit në Bruksel.
Kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin Rama për dinamikat e takimit, propozimet kreative të delegacionit negociator të Kosovës dhe për qasjen konstruktive të tij e Qeverisë së Kosovës gjatë gjithë procesit që i ka paraprirë marrëveshjes.
Duke folur për zhvillimet e bisedimeve, ai po ashtu e njoftoi kryeministrin Rama për refuzimet e Serbisë ndaj ofertës së tij për draftimin e statutit për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazë mbi bazën e tri shtyllave që i referohen Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit të 2015-së, letrës së ish-përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini të gushtit të vitit 2015 dhe qëndrimit amerikan të artikuluar nga këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan, Chollet dhe emisarit amerikan Escobar të janarit 2023, dhe nënshkrimit të aneksit të zbatimit të Marrëveshjes Bazë në Bruksel, sikurse edhe vetë marrëveshjen.
Gjatë takimit u diskutua edhe për marrëdhëniet shumë të veçanta, të ngushta dhe të afërta ndërmjet dy republikave dhe për bashkëpunimin e dy qeverive. Me këtë rast, u dakordua që mbledhja e nëntë e përbashkët e dy qeverive të mbahet në qershor, kësaj radhe në Shqipëri, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.