KMDLNj para një muaji ka reaguar duke paralajmëruar se ZRRE, ky ekip kusarësh, do ta miratojë kërkesën e KESCO për rritje të energjisë elektrike, afërsisht 13 %, me këtë reagim ka kërkuar që qytetarët të kundërshtojnë rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe ka shpresuar që Qeveria e Kosovës, duke marrë parasysh gjendjen e rënduar ekonomike të pjesës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës e që do të preken më së shumti me këtë rritje, do ta kundërshtojë këtë rritje dhe se, më në fund do ta ndëpresë pagesën e faturave të rrymës për serbët dhe të tjerët në veri të Kosovës.
Qeveria, jo që nuk e bëri këtë por me një veprim mashtrues e legalizoi këtë rritje duke ndarë mjete për subvencionim të rrymës për një muaj ndërkohë që rritja e çmimit vazhdon me këtë çmim, deri në rritjen tjetër. Qeveria e Kosovës, në vend se të mbrojë interesin e qytetarëve, votuesve të saj, po i mbron interesat e KESCO, ZRRE dhe strukturave kriminale në veri të Kosovës që rrymën e papaguar e përdorin për prodhim të kriptovalutave dhe kultivimin e bimëve narkotike. Rryma parashihet të rritet 15 %, sipas kusarëve të ZRRE-së.
KMDLNj e kujton opinionin se shtrenjtimi i çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë në rritje zinxhirore të çmimeve të artikujve tjerë, kryesisht të domosdoshëm sikur edhe të shërbimeve. Shtrenjtimi i tillë, si lak në fyt do ta ngulfasë jetën e shumicës së qytetarëve të Kosovës, do të rrënojë edhe më shumë buxhetin e dobësuar familjar, shumë biznese do t’i falimentojë dhe se, në këto rrethana as që mund të flitet për projekte zhvillimore, hapje të reja të vendeve të punës dhe rritje të cilësisë së jetës të qytetarëve të Kosovës.
Kohë më parë qytetarët e Kosovës u bombarduan me një rritje marramendëse dhe jonormale të tatimit në pronë, mesatarisht më shumë se 100 përqind, krahasuar me vitin paraprak. Reagimet ishin të shumta, me një efekt të çastit në vend se kjo rritje e vlerës së tatimit në pronë të kundërshtohet fuqishëm përmes aktivizmit qytetar dhe të gjithë atyre që kanë mandat ta mbrojnë interesin e qytetarit. Ministria që drejtohet nga Hekuran Murati tërë përgjegjësinë për këtë rritje, plaçkitje përmes tatimit në pronë e adresoi te komunat duke deklaruar se këto mjete shkojnë në buxhetin e komunave në kohën kur komunat po arsyetohen se Ministria përkatëse ka përgjegjësi dhe se komunat nuk kanë as mundësi e as përgjegjësi ligjore të ndërhyjnë në vendimet e ministrisë.
Realisht, qytetarët e Kosovës që pamëshirshëm po plaçkiten, qoftë nga një vendim diskriminues i ministrisë, qoftë nga mungesa e kompetencave të komunave të ndërhyjnë në caktimin e shumës së tatimit në pronë, janë të pafuqishëm të mbrojnë buxhetin familjar dhe biznesor, edhe ashtu të rrezikuar shumë nga kriza e përgjithshme ekonomike. Në këtë situatë komunat kanë kërkuar nga ministria që të mos zbatojë këtë rritje jonormale, deri në një vlerësim tjetër kurse Ministria, për ta heshtur dhe zbutur kundërshtimet e arsyeshme të qytetarëve ka propozuar që komunat t’ua falin nga 100 euro tatimpaguesve ndonëse për këtë nuk ka asnjë bazë ligjore. E pabesueshme deri ku shkonë injoranca dhe arroganca e atyre që kanë përgjegjësi konkrete për këtë rritje – plaçkitje përmes tatimit në pronë.
ZRRE është një institucion që kurrë dhe asnjëherë nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim për mbrojtje të interesit të konsumatorëve, pagues të rregulltë të faturave për rrymën e shpenzuar ndërsa e ka bërë të pamundurën, duke shkelur çdo parim moral dhe ligjor t’ua paguajë rrymën serbëve dhe të tjerëve në pjesën veriore të Kosovës, që nga përfundimi i luftës e deri më tani.
KMDLNj vlerëson se reagimi i qytetarëve nuk garanton se ata janë të përkushtuar t’i mbrojnë intereset e tyre sikur që ndodhë në vendet me një demokraci shumë më të zhvilluar dhe të qëndrueshme. Shembull tipik e kemi reagimin qytetar në Francë ku standardi është pakrahasimisht më i lartë se në Kosovë por se qytetarët nuk pajtohen me masat e imponuara nga qeveria.
Në fund, nuk ka asnjë vend në botë ku shkilen aq shumë të drejtat e njeriut, ekskluzivisht në baza etnike si në Kosovës përmes diskriminimit të pagesës së faturave për rrymën e shpenzuar; shqiptarëve dhe joserbëve ua ndërprejnë rrymën edhe për 10 centë të mospaguar kurse serbët furnizohen me rrymë, pa e shpenzuar as edhe një cent të vetëm, 24 orë, gjatë 7 ditëve të javës. E pabesueshme dhe e papranueshme për një shtet normal dhe qeveri normale, që nga përfundimi i luftës e deri më sot, thuhet në komunikatën për media e KMDLNj-së.