Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, mori sot pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), nga Gjeneral Brigade, Joachim Hoppe, te Gjeneral Brigade Ralf Hammerstein, në hapësirat e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka treguar vazhdimisht se është institucion me besueshmëri të lartë te qytetarët dhe se ky besim, sikurse edhe ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, është i bazuar në dy shtylla të fuqishme: luftën e popullit tonë për liri dhe mbështetja e partnerëve tanë.
E si partner e mik të shquar të Kosovës, kryeministri Kurti e cilësoi Gjeneralin Hoppe, për të cilin tha se edhe pse sot po shënon fundin e detyrës së tij këtu, kontributi i tij e tejkalon kohën e mandatit tij, teksa u shpreh i bindur se do të mbetet gjithmonë mik i përhershëm i Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Në mesin e kontributeve dhe mbështetjeve të NALT, ai veçoi atë të Gjeneralit Hoppe. Mbështetja nga Gjenerali Hoppe në hartimin e tri ligjeve bazë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, themelimin e komisionerit parlamentar për FSK-në dhe bashkëpunimin e ngushtë në përmirësimin e procesit të rekrutimit, ka qenë vendimtare për përmirësimin efektiv të mbikëqyrjes civile demokratike të Forcës, shpreh Kryeministri. Për më tepër, shtoi më tej ai, nën udhëheqjen e gjeneralit Hoppe, NALT ka dhënë kontribute të vlefshme në fusha të tjera, duke përfshirë punën e rishikimit të Planit tonë Kombëtar të Reagimit.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti i uroi edhe një herë mirëseardhje Gjeneralit Hammerstein dhe suksese në detyrën e tij të re, duke i siguruar se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ai personalisht do të vazhdojë të punojë me të dhe ekipin e tij. Njëkohësisht, theksoi se do të vazhdojë të mbështes mbrojtjen dhe sigurinë e vendit, dhe do të mbetet plotësisht i përkushtuar për zhvillimin e forcës sonë në përputhje me procedurat dhe standardet e NATO-s.
Para ceremonisë së ndërrimit të komandës, kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj u takua me Shefen e Divizionit të Operacioneve të Stafit Ndërkombëtar të NATO-s, Ariella Viehe, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Forca e Sigurisë së Kosovës ka treguar vazhdimisht se është institucion shumë i besuar nga qytetarët. Ky besim që i është dhënë këtij organi profesional dhe të përkushtuar dhe Ministrisë së Mbrojtjes më gjerësisht qëndron në dy shtylla të fuqishme: lufta e popullit tonë për liri dhe mbështetja e partnerëve tanë. Këta partnerë janë miqtë e vendit tonë që kanë ardhur në Kosovë jo vetëm për të përmbushur detyrën që u është caktuar, por edhe për të përmbushur një mision; detyrën parimore për të mbështetur ndërtimin e një force partnere që synon të mbrojë një popullsi që për shekuj i ka rezistuar kërcënimeve ekzistenciale të agresionit dhe okupimit.
Shembull i mirë i një miku të tillë të Kosovës, i cili me të vërtetë e nderoi këtë detyrë fisnike këtu, jeni ju, Gjeneral Hoppe. Edhe pse sot shënoni përfundimin e detyrës suaj këtu, kontributi juaj e tejkalon tej mase kohën e mandatit tuaj dhe jam plotësisht i bindur se do të mbeteni gjithmonë mik i përhershëm i Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Gjatë më shumë se dy dekadave, NATO ka pasur rol të ndryshëm, por gjithmonë padiskutim thelbësor dhe të mirëpritur në këtë vend, duke i shërbyer qëllimit kryesor se siguria është një e drejtë themelore që duhet të gëzohet nga qytetarët e një vendi.
Përmes një prej formave aktuale të rolit të saj, Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT) në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, Aleanca na mundëson të ruajmë sigurinë tonë të tanishme dhe të sigurojmë një të ardhme drejt Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimit në NATO. Kontributet e NALT janë të shumëfishta.
Ndër to, mbështetja nga NALT dhe në veçanti nga Gjenerali Hoppe, në hartimin e tri ligjeve bazë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, themelimin e komisionerit parlamentar për FSK-në dhe bashkëpunimi i ngushtë në përmirësimin e procesit të rekrutimit, ishte vendimtar për përmirësimin efektiv të mbikëqyrjes demokratike civile të Forcës. Përveç kësaj, nën udhëheqjen e Gjeneralit Hoppe, NALT ka dhënë kontribute të çmueshëm në fusha të tjera, duke përfshirë punën në rishikimin e Planit tonë Kombëtar të Reagimit.
Ashtu siç admirojmë arritjet e së kaluarës, po ashtu e mirëpresim premtimin e ndritshëm të së ardhmes. Në këtë ceremoni të transferimit të komandës, do të doja të shfrytëzojë rastin që t’i dëshirojë mirëseardhje edhe një herë gjeneralit Hammerstein dhe gjithashtu ta sigurojë atë se Qeveria e Kosovës dhe unë personalisht do të vazhdojmë të punojmë me të dhe ekipin e tij. Do të vazhdojmë të mbështesim mbrojtjen dhe sigurinë tonë duke rritur buxhetin për këtë sektor jetik dhe do të mbetemi plotësisht të përkushtuar për zhvillimin e forcës sonë në përputhje me procedurat dhe standardet e NATO-s. Jemi të vendosur në bindjen tonë se e ardhmja e Kosovës është drejt anëtarësimit në BE dhe NATO dhe mezi presim ta trasojmë atë rrugë si dhe të kontribuojmë në sigurinë rajonale, evropiane dhe globale.
Edhe një herë gjeneral Hoppe, faleminderit për mbështetjen dhe punën e përkushtuar, ju uroj juve dhe familjes suaj shëndet dhe suksese. Unë të quaj gjithmonë Gjeneral Hoppe (sikurse me fjalën shpresë), por këto ditët e fundit preferoj më tepër të të quaj Gjeneral Hoppe sepse nuk më shkon mendja të them që Gjenerali Hoppe (si në fjalën shpresë) po largohet. Jam i bindur se do të vazhdoni të mbani marrëdhënie me njerëzit këtu dhe ndonëse jam i sigurt që tani e dini shumë mirë, dëshiroj të theksoj edhe një herë se ju jeni gjithmonë i mirëpritur në Kosovë kurdoherë që t’ju jepet mundësia.
Gjeneral Hammerstein, ju uroj suksese në detyrën tuaj të re dhe ritheksoj se do të keni mbështetjen tonë të plotë në përmbushjen e misionit të ekipit tuaj.
Faleminderit shumë, faleminderit të gjithëve. Vielen Dank!