Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor, Muhamet Rrumbullaku priti në një takim miqësor, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha dhe delegacionin që e shoqëronte.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm mes Policisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Të dy drejtuesit e policive theksuan rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit dhe vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta mes drejtuesve të strukturave të hetimit të krimit, të kufirit dhe atyre të sigurisë publike.
Me propozim të drejtorit Rrumbullaku u dakordësua zgjerimi i hetimeve të përbashkëta dhe operacioneve, veçanërisht në drejtim të goditjes së krimit të organizuar, shkëmbimit në kohë të informacioneve për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim të cilët shpesh shfrytëzojnë dy vendet për t’iu fshehur drejtësisë së vendit ku ata kryejnë krime.
Rëndësi e veçantë iu kushtua dhënies së mbështetjes reciproke në fushën e teknologjisë së informacionit, në veçanti në fushën e krimeve kibernetike.
Dy homologët vunë theksin te patrullimet e përbashkëta në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, si dhe në patrullimet e përbashkëta për sigurinë rrugore, duke qenë se gjatë sezonit veror fluksi i lëvizjeve nga Kosova dejt zonave bregdetare të Shqipërisë është shumë i lartë.
Po ashtu, u diskutua edhe rreth koordinimit dhe bashkëveprimit të të dy policive, në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka falënderuar homologun e tij, për mikpritjen, bashkëpunimin dhe gatishmërinë për ta zgjeruar këtë bashkëpunim dhe ka siguruar Drejtorin e Policisë shqiptare se Policia e Kosovës është shumë e vendosur dhe e fokusuar për të bashkëpunuar ngushtësisht me Policinë e Shtetit, si faktor i rëndësishëm për sigurinë në rajon e më gjerë, thuhet në postimin në Facebook të PK-së.