Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve.
Fjalën e tij kryeministri e nisi me krahasimin ndërepokal siç e quajti ai, për të krijuar një përfytyrim se sa shumë kanë ndryshuar mënyrat e përcjelljes së lajmeve nga vendi i ngjarjes deri te publiku.
“Në jetën politike bashkëkohore, asgjë nuk e ka ngjeshur më shumë diskursin publik, se sa përshpejtimi gati frenetik i qarkullimit të lajmeve dhe informacioneve. Nëse vetëm një shekull më parë, njerëzit shkonin në kinema për të parë kronikat filmike shtetërore të gjiruara në frontet e luftës ditë më parë, sot njerëzit mund t’i ndjekin edhe në kohë reale luftimet nga frontet në Ukrainë, përmes transmetimeve live”, tha kryeministri.
Duke kujtuar zhvillimin e hovshëm teknologjik, kryeministri tha se raporti semiologjik mes dhënësit të mesazhit, pra mediave dhe marrësit të tij, publikut, ishte raport i njëkahshëm dhe shumë i qartë. Por kur ky raport u përmbys nga shpikjet teknologjike dhe masivizimi i tyre, rolet u bënë të anasjellta. Figura e gazetarit dhe ajo e publikut, u ndërkëmbyen mes tyre duke krijuar një raport të ri, ku edhe publiku mund të raportonte dhe të bënte gazetarin, e ku gazetari mund ta gjente veten në pozicionin e publikut përballë publikut të tij tradicional, që nga burim informacioni ishte kthyer në transmetues të drejtpërdrejtë të tij.
Kryeministri Kurti tha se ndjehet i gëzuar të shoh që në Kosovë po organizohen të tilla takime për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, e fiksuar në datën 2 prill. Sepse me sa duket, në kohën tonë, shprehja e vjetër gjermane, “Beso dhe verifiko”, ka nevojë për një verifikim po ashtu, nga “Beso dhe verifiko” në “Verifiko dhe beso”!
Sa herë që flitet për të drejtën për të raportuar lirshëm, më vjen mirë të pohoj se jam në krye të qeverisë së një vendi ku liria e mediave është shembull për vendet e rajonit dhe më gjerë, siç pohohet edhe në raportet ndërkombëtare, tha kryeministri Kurti dhe shtoi se Kosova është shembull për fjalën e lirë dhe zhvillimet progresiste për lirinë e mediave, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Në jetën politike bashkëkohore, asgjë nuk e ka ngjeshur më shumë diskursin publik, se sa përshpejtimi gati frenetik i qarkullimit të lajmeve dhe informacioneve. Nëse vetëm një shekull më parë, njerëzit shkonin në kinema për të parë kronikat filmike shtetërore të gjiruara në frontet e luftës ditë më parë, sot njerëzit mund t’i ndjekin edhe në kohë reale luftimet nga frontet në Ukrainë, përmes transmetimeve live.
Besoj që mjafton qoftë dhe vetëm ky krahasim ndërepokal, për të krijuar një përfytyrim se sa shumë kanë ndryshuar mënyrat e përcjelljes së lajmeve nga vendi i ngjarjes deri te publiku. Kjo, meqë tashmë po jetojmë dekadën e tretë prej kur bota moderne, ka kaluar nga mediat e masave te masat e mediave.
Deri në fillim të shekullit 21, informacionet dhe lajmet prodhoheshin dhe kalonin nga një njësi e numërueshme mediash tradicionale, te një masë e madhe njerëzish, që paraqitnin publikun e këtyre mediave. Pra, në njërën anë ishin shtypi i shkruar, radiot dhe televizionet, që për shkak të numrit të tyre relativisht të kufizuar mund të njiheshin që të gjitha nga shumica, kurse në anën tjetër ishte publiku i tyre, i përbërë nga lexues, dëgjues dhe shikues.
Sa kohë që lajmet qarkullonin në këtë mënyrë, raporti semiologjik mes dhënësit të mesazhit, pra mediave dhe marrësit të tij, publikut, ishte një raport i njëkahshëm dhe shumë i qartë. Por kur ky raport u përmbys nga shpikjet teknologjike dhe masivizimi i tyre, rolet u bënë të anasjellta. Figura e gazetarit dhe ajo e publikut, u ndërkëmbyen mes tyre duke krijuar një raport të ri, ku edhe publiku mund të raportonte dhe të bënte gazetarin, e ku gazetari mund ta gjente veten në pozicionin e publikut përballë publikut të tij tradicional, që nga burim informacioni ishte kthyer në transmetues të drejtpërdrejtë të tij.
Nëse në atë kohë të kaluar ekzistonte rreziku që në një ambient mediatik ku mediat ishin shumë të pakta në numër, informacionet të mund të kontrolloheshin dhe lajmet të censuroheshin nga pushtetet politike, sot kur mediat janë shumë më të shumta numerikisht, ekziston rreziku i prodhimit më të madh dhe shpërndarjes më të lehtë të lajmeve të rreme.
Në universin e pafund të hapësirës kibernetike, ku secili prej nesh noton si një kibernaut nëpër platforma dhe rrjete sociale online si YouTube, Facebook, Instagram e Tweeter, e të tjera, duke kaluar mes miliona e miliona informacionesh, qartazi është tejet e vështirë të orientohesh. Sofistikimi i prodhimit dhe i plasimit të lajmeve të rreme në publik, ka bërë që vijat që përcaktojnë kufijtë mes lajmeve të rreme dhe lajmeve të vërteta, të kenë nevojë për një sy të stërvitur dhe një mendje të mprehtë për t’i dalluar.
Andaj sot, kur të gjithë ne jemi aq rregullisht të ekspozuar ndaj lajmeve të rreme, jam i gëzuar të shoh që në Kosovë po organizohen të tilla takime për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, e fiksuar në datën 2 prill. Sepse me sa duket, në kohën tonë, ajo shprehja e vjetër gjermane, “Beso dhe verifiko”, ka nevojë për një verifikim po ashtu, nga “Beso dhe verifiko” në “Verifiko dhe beso”!
Në këtë ekosistem informativ të kontaminuar nga lajmet e rreme që përcjellin të pavërtetat apo gjysmë të vërtetat, nismat ndërkombëtare për mbrojtjen e publikut nga lajmet e rreme, sikurse kjo e nismuar nga Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve (IFCN ), janë hapje e një fronti të ri në luftën e vjetër kundër gënjeshtrës dhe propagandës. E në këtë pikë, kumti do të mund të ishte ky: Asgjë të re nga fronti i lajmeve të rreme!
Sepse që nga shekulli i 19-të, kur gazetat ditore u masivizuan nëpër Evropë, lajmet e rreme kanë qenë një sfidë për publikun. Mirëpo ishte masivizimi i mediave ai që pashmangshëm i masivizoi edhe lajmet e rreme, përballë të cilave, teknikat e verifikimit pritet të jenë një vaksinim nga viruset e lajmeve të rreme. Ashtu siç lajmet e rreme për vaksinat dhe virusin Corona, që e patën vërshuar botën gjatë tre viteve të fundit, e ku edhe popullsia jonë ishte viktimë. Por për të prodhuar vaksinën kundër viruseve të lajmeve të rreme, ka nevojë veçanërisht për të kaluar nëpër një sociologji të televizionit dhe një antropologji të mediave, përmes të cilave do të mund të kuptonim fenomenet sociale dhe veçantitë kulturore, përmes të cilave qarkullojnë lajmet e rreme.
Krijimi i Kodit të Parimeve (Code of Principles) prej IFCN-së, besoj që vërtetë mund të ndihmojë në zhvillimin e standardeve ndërkombëtare për metodat e verifikimit të fakteve. Ngase kjo vjen edhe si një nevojë e kohës që 5 pyetjet me atë nistoren W: Who, What, When, Where, Why, apo kush, çka, kur, ku dhe pse, kanë nevojë për një “double-checking” apo një verifikim të dyfishtë. E për një gjë të tillë, është i nevojshëm angazhimi profesional dhe aktivizmi publik veçanërisht i gazetarëve dhe i studiuesve të shkencave të komunikimit, kështu siç po e shohim edhe sot këtu.
Vërtetësia dhe besueshmëria shkojnë bashkë si vlera por edhe praktikisht e konkretisht tërë kohën dhe kudo. Sic e thotë filozofja italiane Gloria Origi “Epoka e informacionit është sepse bëhet epoka e reputacionit”, pra, epoka e informacionit është epokë e reputacionit.
Sa herë që flitet për të drejtën për të raportuar lirshëm, më vjen mirë të pohoj se jam në krye të një qeverie të një shteti ku liria e mediave është shembull për vendet e rajonit dhe më gjerë, siç pohohet edhe në raportet ndërkombëtare. Duke u nisur nga liria që gëzojnë mediat në Kosovë, mjafton të shohim gazetarinë në fqinjësinë tonë të afërt, për të kuptuar se për çka e kam fjalën. Dikur, nga vitet e Luftës së Dytë Botërore e deri te lufta e Kosovës, qeveritë e vendeve diktatoriale kishin edhe ministri të propagandës, kurse sot, mbetjet e tyre mohojnë krimet e luftës, si dhe tolerojnë shpërndarjen e lajmeve të rreme për luftën në Ukrainë.
Prodhimi dhe shpërndarja e lajmeve të rreme, veçanërisht në kohëra të jashtëzakonshme siç janë këto tre vitet e fundit pas shpërthimit të pandemisë së Virusit Corona dhe pas invadimit të Ukrainës nga trupat ruse, janë sfida edhe për siguritë nacionale të shteteve dhe për ambientin ndërkombëtar të sigurisë. Në një habitat të tillë ku filtrat e informimit për pastrim nga lajmet e rreme janë kaq të cenueshëm, çdo kontribut për ruajtjen e një ekosistemi të shëndetshëm medial dhe informativ, është kontribut në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, të demokracisë dhe të vetë lirisë.
Këtu do të kisha përmendur një thënie të filozofit që e kam për qejf Walter Benjamin, ai thotë që opinionet janë çështje private, publiku ka interes në gjykime. Pra, opinionet janë çështje private, publiku ka interes në gjykime. Mirëpo, kjo ndarje e opinioneve dhe gjykimeve nuk është më e thjeshtë, sepse ka opinione që janë të mveshura me petkun e një autoriteti gjykues për një çështje dhe gjithashtu ka autoritete gjykuese, që është besuar se janë edhe kompetente të cilat teksa japin gjykimet e tyre, në fakt e kuptojmë se janë opinione të thjeshta.
Është tejet e rëndësishme studimi, qëmtimi i këtij trekëndëshi lajm, opinion, gjykim.
Më vjen shumë keq të konstatojë, që prej dy vitesh, Kosova mbase është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka asnjë gazetë të shtypur. Por më vjen mirë të konstatojë që Kosova ka një larushi aq të madhe të mediave online dhe një pluralizëm të burimeve të informacionit, që mund të shfrytëzohet pozitivisht si një kusht i përshtatshëm për verifikimin e lajmeve.
Sot, prodhimi dhe shpërndarja e lajmeve të rreme është një nga armët më të fuqishme në luftën hibride, ku Rusia me qeverinë e saj autoritare, është kampione e propagandës. Vendet e Ballkanit duke e përfshirë edhe Kosovën, kanë qenë cak i vazhdueshëm i propagandës ruse me dezinformata të paramenduara destabilizuese për rajonin si dhe me lajme të rreme për zhvillimet në frontet e Ukrainës. Në frontin kundër lajmeve të rreme për luftën në Ukrainë, ne si Qeveri e Kosovës, jemi rreshtuar që në krye të herës përkrah vendeve të Bashkimit Evropian, shteteve të Evropës, si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, ne kemi mbështetur programe të veçanta për strehimin dhe ofrimin e kushteve të jetesës dhe të punës për një grup gazetarësh nga Ukraina dhe së fundmi edhe për gazetarë nga Afganistani. Për këtë dhe të gjithë treguesit e matshëm të ambientit medial në vendin tonë, më vjen mirë që vendi ynë i përbashkët Kosova është shembull për fjalën e lirë dhe zhvillimet progresiste për lirinë e mediave, por siç po e shohim sot dhe jo vetëm sot edhe të luftimit të lajmeve të rreme. Dhe kjo, nuk është një fake news! Nuk është vet një lajm i rremë. Sepse ky është një fakt i verifikueshëm. Unë dhe ju të gjithë këtu, e të tjerët që na ndjekin përmes internetit, neve që jemi mbledhur për të diskutuar për parimet ndërkombëtare për verifikimin e fakteve, dhe ata të tjerët të cilët dëgjojnë fjalën tonë, bëhemi bashkë dëshmitarë!