Në 24-vjetorin e Masakrës së Pastaselit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe te lapidari dhe varrezat e dëshmorëve.
Së bashku me tre të mbijetuarit e kësaj masakre dhe Kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, zbuloi pllakën përkujtimore të të rënëve në fshatin Pastasel të Komunës së Rahovecit.
Duke kujtuar viktimat e gjenocidit të Serbisë, Kryeministri Kurti tha se të përbashkuar në këtë vend, ku forcat serbe e kryen masakrën e Pastaselit plot 24 vite më parë, ne shënojmë historinë e këtyre viktimave dhe denoncojmë kryerësit e këtij krimi.
Kjo masakër, nga e cila ende ka persona të zhdukur, u krye vetëm një javë pas fillimit të fushatës ajrore të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, duke vrarë e masakruar 106 shqiptarë.
“Pushkatimet këtu kanë ndodhur në disa grupe dhe grupi i parë i të pushkatuarve është përbërë nga fëmijët prej moshës 13 deri në moshën 17 vjeçare. Kjo tregon se çfarë mizorie e barbarie përbën krimi i pashembullt i Serbisë gjenocidale këtu në Pastasel më 31 mars të vitit 1999.
Kryeministri Kurti tha se si përfaqësues e udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës bashkërisht e kemi për obligim t’i nderojmë dhe t’i kujtojmë të gjitha jetët njerëzore që u shuan nga vrasjet e kryera nga regjimi fashist i Sllobodan Millosheviqit dhe i autoriteteve të tjera të Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore.
Ngritja e kësaj pllake përkujtimore, është jo vetëm një shenjë, por edhe një zotim i yni ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës tonë për drejtësi, tha kryeministri Kurti.
Në këtë tubim përkujtimor, të pranishëm ishin edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, si dhe përfaqësues institucionalë e qytetarë të shumtë, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Sot jemi këtu për ta ruajtur dhe kultivuar kujtimin e viktimave të gjenocidit të ushtruar nga Serbia mbi shqiptarët në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
Duke u përbashkuar në këtë vend, pikërisht këtu, ku forcat serbe e kryen masakrën e Pastaselit plot 24 vite më parë, ne shënojmë historinë e këtyre viktimave dhe denoncojmë kryerësit e këtij krimi.
Vazhdimësia e traditës së këtij kujtimi, është garanci e lidhjes së fortë mes kujtimeve nga një brez në tjetrin.
Me 31 mars të vitit 1999, policia serbe vrau dhe masakroi 106 shqiptarë të paarmatosur këtu në Pastasel për të vetmen arsye, se ishin shqiptarë.
Vetëm një javë pas fillimit të fushatës ajrore të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, fshati pastasel i Rahovecit u bë vendi, ku humbën jetën nga armët e policëve të Serbisë plot 106 njerëz nga Pastaseli, por edhe nga fshatrat tjera si, Senoci, Gremniku, Kazniku, Kramoviku, Palluzha, Çifllaku, Zatrqi, Guri i Kuq dhe vende e zonash të tjera.
Nga kjo masakër kemi ende persona të zhdukur me dhunë.
Rrjedhën e ngjarjeve të masakrës së Pastaselit, ju banorë të kësaj zone e dini shumë më mirë se sa unë.
Për këtë, sot këtu e kemi edhe Tahir Krasniqin, i mbijetuar i kësaj masakre, sikurse dëshmitarë të tjerë jo vetëm të asaj dite të 31 marsit 1999, por të asaj kohe të tmerrshme lufte, të mbushur me vdekje dhe vuajtje, që Serbia pushtuese ua pati shkaktuar shqiptarëve të Kosovës.
Në këtë fazë të luftës, në pranverën e vitit 1999, Serbia paralizonte planin “Patkoi” për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë.
Në kuadër të këtij projekti gjenocidal, autoritetet serbe kishin planifikuar si teknikë të dëbimit edhe terrorizmin e popullsisë shqiptare dhe ç’ rrënjosjen e saj nga Kosova nëpërmjet vrasjeve masive të civilëve të pambrojtur.
Ju e dini mirë që pushkatimet këtu kanë ndodhur në disa grupe dhe grupi i parë i të pushkatuarve është përbërë nga fëmijët prej moshës 13 deri në moshën 17 vjeçare. Pra, synimi ka qenë që njëherë të tjerët, të rriturit e të moshuarit para se të pushkatohen t’i shohin fëmijët duke u pushkatuar. Kjo tregon se çfarë mizorie e barbarie përbën krimi i pashembullt i Serbisë gjenocidale këtu në Pastasel më 31 mars të vitit 1999. Por, kështu vepruan edhe gjetiu. Vepruan ngado në Kosovë, në Likoshan dhe Qirez, në Abri, pastaj në Reçak, në Izbicë, në Studime, në Poklek, në Qyshk, në Krushë të Vogël dhe Krushë të Madhe, në Meje të Gjakovës dhe anembanë Kosovës.
Një çerek shekulli nga koha e luftës në Kosovë ju si familjarë të viktimave të luftës dhe ne si përfaqësues e udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës bashkërisht e kemi për obligim t’i nderojmë dhe t’i kujtojmë të gjitha jetët njerëzore që u shuan nga vrasjet e kryera nga regjimi fashist i Sllobodan Millosheviqit dhe i autoriteteve të tjera të Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore.
Andaj, në këtë përvjetor të 24-të të masakrës së Pastaselit ngritja e kësaj pllake përkujtimore, pikërisht në vendin ku më 31 mars 1999 u vranë 106 shqiptarë, është jo vetëm një shenjë, por edhe një zotim i yni ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës tonë për drejtësi.
Duke kaluar nga kujtesa te historia dhe nga denoncimi te ndjekja ligjore, si kryeministër i Kosovës dua ta ritheksoj përkushtimin tim maksimal, jo vetëm për kujtimin e viktimave të luftës, por edhe për studimin e historisë dhe të trashëgimisë së tyre si dhe angazhimin institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në sistemin e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare.
Thirrja dhe gatishmëria jonë qeveritare për t’i ndjekur kriminelët serbë të luftës duhet të hasë në interesimin urgjent dhe të shtuar të Prokurorisë së Republikës së Kosovës.
Lavdi të gjithë 106 të rënëve të masakrës së Pastaselit dhe i përjetshëm qoftë kujtimi për ta dhe për secilën jetë të dhënë në rrugën tonë për çlirimin dhe lirinë e Kosovës.