Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se djegia e veturave të qytetarëve tanë në veri e orkestruar nga Beogradi me qëllim të shkaktimit të frikës tek qytetarët tjerë është pa dyshim akt i rëndë kriminal dhe sa herë kanë ndodhur akte të tilla, njësitet relevante policore kanë qenë të angazhuara në identifikimin e kriminelëve që kanë kryer akte.
Sveçla në postimin e tij në Facebook ka thënë se njëri nga ta sot është arrestuar dhe i cili përveç që ka qenë i përfshirë në djegien e veturave në veri, si pjesë aktive e strukturës kriminale të të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”, më parë ai kishte sulmuar me armë Policinë e Kosovës duke i plagosur dy zyrtarë të saj, po ashtu organet e sigurisë kanë dëshmi për përfshirjen e tij në sulme ndaj infrasturkturës kritike të republikës.
Në kuptim të kësaj, shtetasi serb i arrestuar sot akuzohet për “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Secili që si individ apo si pjesë e grupeve kriminale të dirigjuara nga Beogradi ka kryer çdo lloj akti kriminal me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, do të identifikohet dhe sillet para drejtësisë.