Ambasada e SHBA-së në Kosovë për zgjedhjet në komunat veriore ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vënë në pah se më 23 prill 2023, në komunat e Kosovës në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok u mbajtën zgjedhjet komunale për kryetar komune të katër komunave dhe për dy kuvende komunale. Këto zgjedhje janë në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.
Ne përkrahim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse dhe shumetnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Është për të ardhur keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatës që iu shërbejnë. Votimi është një liri e rëndësishme e shoqërive demokratike.
Ne i pranojmë përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë në dispozicion qendrat e votimit për qytetarët që duan të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke ulur pikat e mundshme të tensionit. Gjithashtu shprehim mirënjohjen tonë për profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it për të ofruar një mjedis të sigurt për zgjedhje.
Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm.
Ne gjithashtu ri-theksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit, thuhet në faqen zyrtare të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.