Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Tryezën e Rrumbullakët të organizuar nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Redzepi, me rastin e Ditës Kombëtare të Turqve në Kosovë.
Duke falënderuar Zëvendëskryeministren Redzepi për organizimin, kryeministri Kurti shprehu falënderimet e mirënjohjen ndaj qytetarëve turq për kontributin e vazhdueshëm dhënë për Republikën e Kosovës.
Në adresimin e tij, ai përmendi që muajin e kaluar në shkollën “Elena Gjika” u festua 72-vjetori i mësimit në gjuhën turke, duke thënë se jemi të lumtur për këtë traditë të gjatë të shumëgjuhësisë në vendin tonë dhe për mundësinë, që fëmijët në Kosovë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare.
“Strategjia jonë e arsimit për vitet 2022-2026 përfshin subvencionet e vazhdueshme për hartimin, rishikimin, përkthimin dhe përshtatjen e teksteve e materialeve e mësimore në gjuhën turke. Po ashtu, planifikojmë të organizojmë aktivitete për mësimin e gjuhës shqipe për komunitetet që kanë gjuhë të tjera, si turqishten për shembull gjuhë amtare”, tha kryeministri.
Kryeministri Kurti tha se komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur shoqëror dhe kulturor. Ai shtoi se, që Kosova të jetë një shtet, ku promovohet shumëgjuhësia, do t’iu ofrojmë mundësi studentëve, që të mësojnë gjuhën e mjedisit, siç është turqishtja për shqiptarët në komunat multietnike dhe kësisoj edhe si individë dhe si shtet, do të përfitojmë avantazhe në tregun ndërkombëtar.
Me pakon shtesë prej 3 milionë eurove për komunitetet joshumicë në Kosovë, që pritet të miratohet së shpejti, do të ketë masa mbështetëse për vende të reja pune për bizneset ekzistuese dhe ato të reja, për fermerët dhe prodhuesit e vegjël në zonat rurale dhe për shoqërinë civile, që kontribuon në integrimin dhe afirmimin e komuniteteve joshumicë.
Ai tha se shpreson për një bashkëbisedim të dobishëm e kontribuues ndaj përmirësimit të jetës e mirëqenies së secilit qytetar, pavarësisht dallimeve, të cilat i kemi.
“E përbashkëta jonë është vendi ynë, andaj do të jemi bashkë në secilin hap për progresin e gjithmbarshëm” u shpreh kryeministrit.
Në këtë tryezë, të pranishëm ishin, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, njëherësh kryetar i KDTP-së, Zëvendësambasadorja e Turqisë në Kosovë, Şeyda Aydın, përfaqësues të partive politike, të shoqërisë civile e të mediave nga komuniteti turk, përfaqësues të komunitetit turk në Këshillin Konsultativ për Komunitete, si dhe nëpunës të këtij komuniteti në institucionet e Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Ju ngjatjeta të gjithëve, merhaba. Gjatë ditëve të fundit kemi festuar jo vetëm festën e Fitër Bajramit, por edhe 23 Prillin, Ditën e Turqve. Ishte kënaqësi të jem në Prizren të shtunën në mesin e komunitetit turk, por edhe që sot po e shënon këtë ditë këtu së bashku.
Në një ambient si ky, në Qeverinë e Republikës së Kosovës nuk jemi thjeshtë vetëm për të marrë vendime, por edhe të shkëmbejmë idetë për prioritetet e komunitetit dhe për bashkëpunimin tonë në adresimin e tyre, duke iu dëgjuar juve.
Falënderoj Zëvendëskryeministren Rexhepi për organizimin e sotëm dhe shpreh falënderimet e mirënjohjen time ndaj qytetarëve tonë turq për kontributin e vazhdueshëm dhënë për Republikën e Kosovës.
Muajin e kaluar isha në shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë për të festuar 72-vjetorin e mësimit në gjuhën turke në Kosovë, një traditë kjo e pandërprerë, që nga viti 1951. Jemi të lumtur për këtë traditë të gjatë të shumëgjuhësisë në vendin tonë dhe për mundësinë që fëmijët në Kosovë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare.
Vitin e kaluar Qeveria jonë ka gjetur zgjidhje për të ofruar tekste shkollore cilësore në gjuhën turke. Strategjia jonë e arsimit për vitet 2022-2026 përfshin subvencionet e vazhdueshme për hartimin, rishikimin, përkthimin dhe përshtatjen e teksteve e materialeve e mësimore në gjuhën turke. Po ashtu, planifikojmë të organizojmë aktivitete për mësimin e gjuhës shqipe për komunitetet që kanë gjuhë të tjera, si turqishten për shembull gjuhë amtare.
Ne do të ofrojmë materiale mësimore të shtypura e digjitale edhe mbështetje profesionale për shkollat, që e ofrojnë këtë shërbim.
Komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur shoqëror dhe kulturor.
Që Kosova të jetë një shtet, ku promovohet shumëgjuhësia, ne gjithashtu do t’iu ofrojmë mundësi studentëve, që të mësojnë gjuhën e mjedisit, siç është turqishtja për shqiptarët në komunat multietnike.
Kësisoj, si individë dhe si shtet do të përfitojmë avantazhe në tregun ndërkombëtar, si dhe solidaritet në nivel republike, kur njerëzit kanë mundësi të komunikojnë e të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.
Pas shkollimin në shkollat tona, kemi parë që shumë qytetarë turq po kontribuojnë në zhvillimin e vendit tonë përmes ndërmarrësisë. Si shembull se si komuniteti po përgatitet për mundësitë që ofron teknologjia e informacionit e mirëpresim mbi përfaqësimin e të rinjve turq në programin e Ministrisë së Ekonomisë ‘Kode”, ku të rinjtë përfitojnë shkathtësi digjitale.
Në të njëjtën kohë kemi shumë fermerë turq, të cilët kontribuojnë në bereqetin e sofrave tona, por edhe në eksport të prodhimeve bujqësore.
Megjithëkëtë, ne e dimë se komuniteti ka nevojë për mbështetjen e Qeverisë, andaj më vjen mirë që në javën e kaluar e kemi paralajmëruar një pako shtesë prej 3 milionë eurove për komunitetet joshumicë në Kosovë.
Kjo pako përmban masa mbështetëse për vende të reja pune për bizneset ekzistuese dhe ato të reja, për fermerët dhe prodhuesit e vegjël në zonat rurale dhe për shoqërinë civile, që kontribuon në integrimin dhe afirmimin e komuniteteve joshumicë.
Njoftimi për qasjen në këto fonde do të sigurohet përmes buletinit të ri elektronik, që kemi lansuar disa muaj më parë në gjuhën turke së bashku me gjuhën shqipe, serbe dhe rome.
Ky buletin përmbledhë informacione mbi mundësitë si, trajnime, vende pune, grante dhe subvencione nga Qeveria, si dhe akterë të tjerë, që mund të jenë të dobishme për komunitetin.
Grante do të jepen edhe sivjet nga Zyra për Çështje të Komuniteteve, e cila gjithashtu do të ketë fonde të rezervuara për secilin komunitet joshumicë, duke përfshirë edhe komunitetin turk.
Zyra ka mbajtur një konsultim gjithëpërfshirës me mbi 150 anëtarë të komuniteteve. Nga ky konsultim kemi marrë ‘feedback’ pozitiv për ndarjen e granteve për transparencën vitin e kaluar dhe kështu do të vazhdojmë edhe këtë vit 2023-shin.
Shpresoj për një bashkëbisedim të dobishëm e kontribuues ndaj përmirësimit të jetës e mirëqenies së secilit qytetar, pavarësisht dallimeve, të cilat i kemi.
E përbashkëta jonë është vendi ynë, andaj do të jemi bashkë në secilin hap për progresin e gjithmbarshëm.
Teşekkür ederim!