Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, ministri Hajrulla Çeku, ambasadori i BE-së në Kosovë Tomas Szunyog, dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së Maria Suokko, kanë vizituar sot Muzeun e Hidroelektranës dhe Katedralja “Zonja Ndihmëtare” në Prizren.
Katedralja u ndërtua në fund të shekullit të 19-të dhe ka qenë objekti kryesor fetar i komunitetit katolik për rajonin e Prizrenit, ndërsa Hidroelektrana u ndërtua ndërmjet viteve 1926 dhe 1928 duke e furnizuar Prizrenin me energji elektrike deri në vitin 1973. Në vitin 1979 u shndërrua në Muzeun e Energjisë Elektrike.
Të dyja këto asete të trashëgimisë kulturore po restaurohen përmes projektit “Trashëgimia kulturore si nxitës për dialogun ndër-komunitar dhe kohezionin social”. Teksa punimet restauruese në Katedrale kanë përfunduar, punimet në Muzeun e Hidroelektranës po vazhdojnë ende, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.