Ministri Murati ka pritur sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Doganave (OBD), Kunio Mikuriya.
Përgjatë takimit u diskutua lidhur me bashkëpunimin tregtar, zhvillimin e kapaciteteve të Doganave të Kosovës, si dhe mbështetjen që OBD mund të ofrojë për Kosovën.
Ministri Murati e njoftoi sekretarin Mikuriya me të arriturat e Doganave të Kosovën në vitet e fundit, duke vënë theks në inkasimin e të hyrave, luftën kundër kontrabandës, si dhe rritjen dhe diversifikimin e eksportit nga Republika e Kosovës. Po ashtu, Ministri përmendi edhe ndryshimet dhe reformat aktuale në Dogana, të cilat bazohen në praktikat më të mira të Bashkimit Evropian dhe OBD-së.
Sekretari Mikuriya tha se OBD po monitoron nga afër progresin e Doganave të Kosovës, specifikisht rritjen e bazës fiskale, rritjen e konkurueshmërisë, si dhe dixhitalizim e shërbimeve. Gjithashtu, Sekretari shprehu gatishmërinë e OBD-së për të mbeshtetur Kosovën në zhvillimin e kapaciteteve dhe rritjen e partneritetit të Doganave të Kosovës me ato të vendeve të tjera.
OBD zhvillon standardet ndërkombëtare, nxit bashkëpunimin dhe ndërton kapacitete për të lehtësuar tregtinë legjitime, për të siguruar një arkëtimin e drejtë të të ardhurave, duke ofruar udhëheqje, udhëzime dhe mbështetje për administratat doganore. Kjo është hera e pare që një përfaqësues i OBD-së viziton Kosovën, që nga anëtarësimi i Kosovës në OBD në vitin 2017, thuhet në komunikatën për media e MFPT-së.