Gjatë vizitës zyrtare në Stockholm, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u prit në një drekë pune nga Ministrja për Çështje Evropiane e Suedisë, Jessika Roswall.
Javën e kaluar, Rosswall ishte nënshkruese e aktit të liberalizimit të vizave të Kosovës, i cili përmbylli një rrugëtim të gjatë dhe shënoi finalizimin e këtij procesi. Ajo e uroi dhe njëherë zëvendëskryeministrin në këtë arritje për Qeverinë, vendin dhe qytetarët si dhe në suksesin për hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi për fjalët e konsideratën, duke shprehur se Kosova ka synim e objektiv integrimin e plotë në institucionet e strukturat evropiane.
‘’Angazhimi ynë është serioz dhe puna jonë vijon në kuadër të objektivave strategjikë të vendit që e shohin Kosovën pjesë të familjes së gjerë evropiane’’, tha zëvendëskryeministri Bislimi.
Siguria, qëndrueshmëria, prosperiteti, vlerat demokratike dhe sundimi i ligjit janë prioritetet e Presidencës Suedeze të Këshillit të BE-së, dhe Kosova përfaqëson pikërisht këto vlera dhe punon për arritjen e këtyre standardeve. Në këtë frymë të përbashkët, u rikonfirmua bashkëpunimi i fuqishëm i Kosovës me Presidencën Suedeze të Këshillit të BE-së.
Demokracitë liberale, ku kombinohen sovraniteti i popullit dhe respektimi i të drejtave e lirive individuale është gjithashtu ajo që e karakterizon Bashkimin Evropian. Këto vlera janë ato për të cilat aspiron vendi ynë. Puna dhe arritjet në dy vitet e fundit, janë tregues i zhvillimit të Kosovës dhe përparimit në këtë trajektore. Si Qeveri besojmë se Kosova meriton të arrijë hapa të tjerë të rëndësishëm drejt integrimit evropian.
U theksua nga zëvendëskryeministri Bislimi se aplikimi për anëtarësim i 15 dhjetorit të vitit të shkuar ka qenë vetëm pikënisja, e tashmë duhet të ecim tutje drejt hapave vijues, e të cilat janë marrja e pyetësorit dhe më pas statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kosova dhe strukturat koordinuese të integrimit evropian brenda institucioneve tona, janë të gatshme për këtë proces, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.