Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se me rastin e pjesëmarrjes në Ekspozitën dhe Konferencën e ASDA, ka takuar ministrin e Mbrojtjes të Kroacisë, Mario Banožić, me të cilin kanë nënshkruar Marrëveshje Kornizë për Bashkëpunim në fushën e Mbrojtjes, ku ka diskutuar për shumë çështje relevante me situatën aktuale gjeopolitike, duke përfshirë ndikimin rus në Ballkan, domosdoshmërinë e unitetit përballë tendencës për destabilizim dhe cënim të vlerave demokratike, investimin e përbashkët në fusha strategjike përsa i përket sigurisë dhe mbrojtjes për të garantuar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Mehaj në postimin e tij në Facebook ka thënë se edhe njëherë ka theksuar para ministrit Banožić se Kosova është falenderuese për mbështetjen e deritanishme nga ana e shtetit kroat, mbesim të përkushtuar për bashkëpunim të mëtutjeshëm, ofrim të trajnimeve në fushën e kërkim-shpëtimit si dhe të deminimit.
Nga ana tjetër ministri shprehu vlerësimin e tij për hapat e ndërmarr nga ana e Kosovës për zhvillimin e ushtrisë, e po ashtu faktin se po ngriten kapacitetet ushtarake përmes blerjeve direkte shtet më shtet në përputhje me standardet e NATO-s.
Ndër të tjerash ministri Banozic garantoi mbështetje të pakursyer për Kosovën dhe të ardhmen tonë evropiane.






