Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se rendi dhe ligji, demokracia dhe lëvizja e lirë, siguria dhe paqja, mund dhe duhet të ecin krah për krah, për këto angazhohemi çdo ditë dhe në përpikëri.
Kryeministri Kurti ka falënderuar pjesëtarët e Policisë së Republikës së Kosovës për qëndrimin e tyre profesional, shtetëror dhe në mbrojtje të sundimit të ligjit. Ata, siç dëshmojnë çdo ditë, e dëshmuan që janë të gatshëm për t’i shërbyer rendit, ligjit e Republikës si profesionistë, të patrembur e dinjitozë, në afirmimin e një ambienti multi-etnik të sigurisë, pavarësisht kushteve të rënda që shkaktuan grupet e menaxhuara nga struktura parapolitike në atë pjesë të vendit.
Kurti në postimin e tij në Facebook ka thënë se pas betimit tre kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat në veri të Kosovës, e kanë pasur ditën e parë të punës. Shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do duhej të ishte gjëja më normale e mundshme. Objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit e kushtetutës. Ai i takon Republikës prandaj edhe nuk është marrë dje e nuk do të merret asnjë ditë tjetër.
Kryeministri Kurti thotë se i kupton shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë, por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës dhe do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë.
Andaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve, ftoj të gjithë, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve.
Rendi dhe ligji, demokracia dhe lëvizja e lirë, siguria dhe paqja, mund dhe duhet të ecin krah për krah. Për këto angazhohemi çdo ditë dhe në përpikëri.
Rrugët në veri janë që të gjitha të hapura e të qarkullueshme për qytetarët. Komunat dhe kryetarët duhet të punojnë shumë sepse kemi shumë punë për të bërë për qytetarët.