Në një aktivitet të përbashkët ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës u shënua 24 vjetori i çlirimit të Prishtinës.
Me ç’rast ushtarakët e FSK-së së bashku me fëmijët të cilët janë e tashmja dhe e ardhmja e këtij vendi, parakaluan përgjatë sheshit si dy gjenerata që shënojnë tri periudha të ndryshme kohore të shtetësisë së Republikës së Kosovës.
24 vjet pas çlirimit Kosova renditet e para në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor përsa i përket lirisë së shtypit, lirisë zgjedhore, transparencës dhe luftimit të krimit e korrupsionit, ndërsa ka shënuar 17% rritje ekonomike në dy vitet e fundit dhe ka dyfishuar shkallën e eksportit.
Liria shoqëron zhvillimin, e zhvillimi në mënyrë eksponenciale përcjellë kohën, ashtu që pandashëm dhe së bashku institucionet e qytetarët e Republikës së Kosovës me punë të vazhdueshme do të shënojnë arritje të tjera në aspektin e mirëqenies së gjithmbarshme sociale.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se me rastin e ditës së çlirimit të Prishtinës, ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës së bashku me fëmijët parakaluan nga sheshi Zahir Pajaziti deri tek sheshi Skënderbeu.
Mehaj në postimin e tij në Facebook ka thënë se moti me shi nuk i pengoi aspak fëmijët në marshimin e tyre, si ushtarak të vërtetë ata vazhduan deri në fund. Të gjithë na e dhanë një mesazh të qartë: Detyra, nderi, atdheu!, kjo është e gjitha, kjo është mbi të gjitha.
Si ushtarak, frymëzimin tonë atdhetar e kombëtar e kemi UÇK-në e cila është e mishëruar me FSK-në. Fëmijët tanë nuk do të harrojnë nga kemi ardhur, ku jemi dhe ku do të arrijmë.
Në këtë vend dje kanë qenë zot stërgjyshërit tanë, sot jemi ne, ndërsa nesër do të jenë këta fëmijë.
Faleminderit kryetarit, Përparim Rama për bashkëpunimin në realizimin e këtij aktiviteti.
Urime dita e çlirimit, Prishtinë!