Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Guvernatoren e shtetit të Iowa-s, Kim Reynolds, e cila po qëndron për vizitë në vendin tonë.
Në takimin e ngrohtë dhe tejet miqësor u shkëmbyen pikëpamje rreth zhvillimeve politike në vend e rajon, si dhe u bisedua për mundësitë e zgjerimit të fushave të bashkëpunimit.
Kryetari Konjufca falënderoi Guvernatoren Reynolds për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet shtetit të Iowa-s dhe Republikës së Kosovës dhe për gjithë mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë në vazhdimësi vendit tonë.
Në këtë pikëpamje, kryetari i Kuvendit vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, partneritetin e palëkundur dhe miqësinë e përhershme mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Duke potencuar përkushtimin e institucioneve shtetërore të Kosovës ndaj vlerave të lirisë, barazisë dhe demokracisë, mbrojtjes së integritetit territorial, sovranitetit dhe kushtetutshmërisë, kryetari Konjufca ritheksoi se integrimi euroatlantik është dhe mbetet prioritet i shtetit të Kosovës.
“Republika e Kosovës ka para vetes procese të rëndësishme drejt integrimeve euroatlantike dhe anëtarësimit në mekanizma e organizata ndërkombëtare. Në të gjitha këto procese presim vazhdimin e mbështetjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë partnerëve tanë”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.
Guvernatorja Kim Reynolds, duke shprehur kënaqësinë për marrëdhëniet e deritashme midis shtetit të Iowa-s dhe Republikës së Kosovës, theksoi gatishmërinë për të zgjeruar më tej gamën e bashkëpunimit reciprok dhe me fusha të tjera, përfshirë atë parlamentare, thuhet në komunikatën për media e Kuvendit të Kosovës.