Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se pas vërshimeve të shkaktuara në Pejë, zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Pejë, kanë inspektuar monumentet që kanë qenë të ndikuara nga rreshjet intensive.
Pas inspektimeve në terren, është konstatuar se monumentet që kanë pësuar dëme të theksuara janë: Kulla e Gockajve (ku është e vendosur Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore Pejë) dhe Konaku i Mahmut Begollëve.
Në monumentet tjera të prekura nga vërshimet, sikurse Xhamia e Mesxhidit, gjendja kritike është tejkaluar pas pastrimeve nga vetë pronarët dhe shfrytëzuesit e aseteve.
QRTK Pejë vazhdon të koordinohet me institucionet përgjegjëse për pastrim dhe largim të mbeturinave, për të vazhduar më pas me vlerësimin e dëmit të shkaktuar.
Solidarizohemi me qytetarët e dëmtuar nga kjo fatkeqësi dhe i shprehim ngushëllime familjes e cila ka humbur dy anëtarë.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me institucionet vartëse do të ndërmarr hapat e duhur që kjo gjendje e shkaktuar nga fatkeqësia natyrore të tejkalohet dhe monumentet e dëmtuara të konsolidohen brenda një afati të shkurtër, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.