Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i stafit, Ilir Kërçeli, vizitoi sot Bashkësinë Islame të Kosovës, për të uruar drejtuesit e saj dhe të gjithë qytetarët e Kosovës të besimit islam për Festën e Kurban Bajramit.
Në pritjen tradicionale nga myftiu Naim Tërnava, kryetari Glauk Konjufca tha se Bajrami i Kurbanit është festë e bashkimit, e mirësisë, e sakrificës, e cila na e kujton se sa i rëndësishëm është solidariteti dhe sa të rëndësishme janë porositë hyjnore për kujdes ndaj njëri-tjetrit dhe sidomos ndaj atyre që janë më nevojtarët e më skamnorët.
“Për shkak të vështirësive shumë njerëz ndoshta edhe nuk e kanë sofrën plot, por Bashkësia Islame gjithmonë është kujdesur që ata të mos ndihen keq, së paku në Ditën e Bajramit, atëherë kur më së shumti kemi nevojë t’i qëndrojmë afër njëri-tjetrit. Duke falënderuar Bashkësinë Islame dhe myftiun Tërnava, ua uroj të gjithë qytetarëve tanë këtë festë të rëndësishme, të cilën po e vazhdojmë si traditë, me dëshirën që ajo të sjell fat, paqe dhe lumturi në familjet e tyre“, theksoi kryetari Glauk Konjufca.
Kreu i Kuvendit falënderoi Bashkësinë Islame të Kosovës dhe myftiun Naim Tërnava personalisht për kontributin dhe rolin pozitiv në shoqërinë tonë, si nga aspekti i bashkimit e mirëmbajtjes së besimit, ashtu edhe nga dimensioni shumë i rëndësishëm i zhvillimit të aktiviteteve bamirëse, thuhet në komunikatën për media e Kuvendit të Kosovës.