Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, dhe këshilltari i Kryeministrit për Teknologji të Informacionit, Lulëzon Jagxhiu, përfaqësuan Republikën e Kosovës në konferencën e nivelit të lartë për siguri kibernetike, të organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Regjional (RCC) në bashkëpunim me Komisionin Evropian, e cila u mbajt në Bruksel.
Dobra ishte pjesë e panelit ministror të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku u diskutuan progresi, sfidat dhe nevojat në arritjen e një hapësire kibernetike të qëndrueshme. Ai theksoi synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për digjitalizim në shkallë të gjerë dhe përkushtimin që një digjitalizim i tillë të bëhet në hapësirë kibernetike të sigurt. Në këtë aspekt, ai ceku se Republika e Kosovës ka miratuar ligjin e ri për siguri kibernetike, i cili parasheh themelimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike, dhe ka finalizuar strategjinë për siguri kibernetike që është në proces të aprovimit.
Hapësira kibernetike nuk njeh kufij, dhe sulmet kibernetike lehtësisht mund të përhapen nga një shtet në tjetrin, prandaj zëvendësministri Dobra shprehu gatishmërinë e vazhdueshme të vendit tonë për bashkëpunim dhe për shkëmbim të përvojave me shtetet mike në fushën e sigurisë kibernetike.
Këshilltari Jagxhiu mori pjesë në panelin “Qasja mbarëshoqërore në fuqizimin e sigurisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor”. Ai theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët të të gjithë akterëve, duke përfshirë qeverinë, sektorin privat dhe akademinë në ngritjen e qëndrueshmërisë kibernetike të vendit. Jagxhiu veçoi krijimin e grupit punues gjithëpërfshirës për siguri kibernetike në infrastrukturë kritike si një shembull të mirë të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të njohurive në kuadër të ekosistemit nacional të sigurisë kibernetike, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.