Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me komunitetin egjiptian, me rastin e shënimit të Ditës Memoriale të këtij komuniteti, të organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Në këtë tryezë, ku të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deputeti Fridon Lala dhe përfaqësues të tjerë nga komuniteti egjiptian, u diskutua për sfidat dhe mundësitë për komunitetin egjiptian në Kosovë.
Duke iu uruar mirëseardhje në ndërtesën e Qeverisë, me rastin e shënimit të Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian, Kryeministri Kurti, shprehu falënderimet e tij për kontributin e dhënë nga ky komunitet në Republikën e Kosovës, si dhe theksoi se është mirënjohës edhe për mundësitë për bashkëqeverisje përmes Zyrës së Kryeministrit dhe Kuvendit të Kosovës.
Kryeministri shtoi se Qeveria jonë ka mbështetur të gjitha komunitetet pa dallime, prandaj edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka ndarë tre milionë euro, si dhe një milion për projekte infrastrukturore për komunitetet, familjet e të cilave nuk kanë shtëpi apo kanë nevojë për renovime.
Si hap të rëndësishëm për realizimin e kuotës për punësim në institucione, siç e parasheh ligji, ai veçoi krijimin e ekipit ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet egjiptian, ashkali dhe rom në vendin tonë.
Ai nënvizoi përfitimet dhe mundësitë që platforma Superpuna dhe ajo “Kosova Generation Unlimited” paraqet për anëtarët e këtij komuniteti në përfitimin e aftësive të punës dhe përfshirjes në tregun e punës.
Kryeministri Kurti, bëri thirrje që të këtë sa më shumë aplikime, sepse ato ofrojnë shance të artë për të rinjtë e komunitetit egjiptian dhe pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës.
Gjatë diskutimit në këtë tryezë të rrumbullakët Kryeministri, u shpreh se edhe përkundër sfidave dhe vështirësive që hasin ky komunitet, të cilat sipas tij do t’i përballojmë së bashku, ai tha se është lansuar Platforma Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj komuniteteve dhe se qëllimi i kësaj platforme është parandalimi i diskriminimit ndaj Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, për çka i inkurajoi që të raportojnë çdo rast në www.raportodiskriminimin.org, në mënyrë që ekipi i veçantë i krijuar për këtë qëllim të mund të reagojë, siç ka ndodhur në rastet e deritanishme.
Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, pasi i uroi komunitetin egjiptian për festën, tha se është aty për të dëgjuar kërkesat e tyre.
Duke uruar komunitetin egjiptian për shënimin e Ditës Memoriale, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se jo vetëm në ditët festive, por janë 365 ditë që duhet të angazhohemi për komunitetin dhe vendin tonë.
“Ne kemi qenë pjesë e pandashme e historisë, pra edhe pas pavarësisë do të mbesim pjesë e shtetit dhe e shoqërisë, për të kontribuar dhe pasuruar mozaikun multikulturor të vendit tonë”, tha ai.
Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fridon Lala, falënderoi kryeministrin Kurti, i cili me prezencën e tij në shumë aktivitete të grupeve të ndryshme minoritare, tregon vullnetin e tij politik për të punuar për të gjithë qytetarët dhe se prezenca e tij për këto dy vite ka qenë më e madhja nëse krahasohet me secilin kryeministër më herët, për sa i përket takimeve me komunitete, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Mirë se keni ardhur në ndërtesën e Qeverisë këtë javë kur shënohet Dita Memoriale e Komunitetit Egjiptian në Kosovë. Besoj që së bashku kemi shumë për të festuar për komunitetin, por jam këtu edhe për të dëgjuar sfidat që ju shihni se mbeten. Është hera e dytë që po mblidhemi këtu dhe më gëzon fakti që ka pasur zhvillime pozitive që nga tryeza e rrumbullakët kur ishim këtu bashkë një vit më parë së bashku.
Ju falënderoj për të gjithë kontributin e dhënë nga komuniteti egjiptian në Republikën e Kosovës – për mundësitë për bashkëqeverisje përmes kabinetit tim qeveritar dhe Kuvendit të Kosovës. Gjatë këtij viti kisha kënaqësinë të takoja policë të komunitetit egjiptian, studentë të mbështetur me bursa dhe OJQ që mbrojnë të drejtat e komunitetit.
Kam dëgjuar prej tyre për ndikimin e masave të cilat i kemi zbatuar. Brenda një viti, me Pakon e Ringjalljes Ekonomike dhe Pakon për përballimin e Inflacionit ne kemi mbështetur drejtpërdrejt rreth 800,000 qytetarë të Republikës, pra pothuajse secilën familje. Një theks të veçantë u kemi vënë edhe komuniteteve.
Gjatë vitit, kemi mbështetur 123 biznese të vogla dhe projekte start-up për komunitetet jo-shumicë, prej të cilave 21 ishin nga komunitetin egjiptian. Gjithashtu, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka ndarë fonde për 19 shtëpi që do të ndërtohen për familjet në nevojë, duke përfshirë edhe komunitetin egjiptian, si dhe 373 pako ushqimore dhe higjienike, nga të cilat 134 – ose 36% – shkuan për komunitetin egjiptian. Tani kemi ndarë edhe 3 milionë euro vetëm për komunitete, për OJQ dhe për vende të reja pune, në thirrjen që sapo është mbyllur në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Për familjet e komuniteteve që nuk kanë shtëpi apo kanë nevojë për renovime, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka ndarë edhe 3 milionë euro, si dhe 1 milion për projekte infrastrukturore për komunitetet.
Zyra për Çështje të Komuniteteve pranë Zyrës së Kryeministrit ka mbështetur organizata dhe media për aktivitete të ndryshme kulturore. Kemi dhënë 96 grante për organizatat për projekte nga të cilat përfitojnë komunitetet joshumicë, me fonde të rezervuara për komunitetin egjiptian për herë të parë. Pas një vlerësimi të Programit të vitit 2022 përmes një konsultimi të gjerë publik, ne kemi iniciuar një qasje të re në Programin për vitin 2023, me mbështetjen e Zyrës Ligjore dhe Ministrisë së Financave për të siguruar që OJQ-të që aplikojnë për grante duhet të dëshmojnë se janë të bazuara në komunitet. Pas thirrjes së hapur, tani po shqyrtohen aplikimet për grante prej 300,000 euro për OJQ-të dhe 100,000 euro për mediat e komunitetit.
Kemi krijuar ekipin ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet egjiptian, ashkali dhe rom. Në vendin tonë ne jemi krenarë që me punën e këtij ekipi, së bashku me partnerët tanë, kemi siguruar që në raundin e fundit të rekrutimit për Policinë e Kosovës, mbi 20 për qind e kadetëve të jenë nga komunitetet joshumicë të Kosovës, duke përfshirë 1 grua dhe 3 burra egjiptianë. Gjithashtu, jemi siguruar që vitin e kaluar, tre herë më shumë egjiptianë, romë dhe ashkali dhe kanë përfituar nga trajnimet në Qendrat e Trajnimit Profesional në krahasim me vitin paraprak.
Qeveria jonë po punon për krijimin e mundësive të barabarta për arsim e punësim. Arsimi i lartë ofrohet falas për të gjithë studentët nga të gjitha komunitetet, por me ministrin Krasniqi jemi dakorduar për një iniciativë, së bashku me ministren Nagavci, nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, të ndajmë 100 bursa për studentë egjiptianë, romë dhe ashkali në universitetet publike. Në tetor do të hapet konkursi për edhe 100 bursa të tilla. Gjithashtu kemi ndarë 300 mijë euro bursa për studentët në shkolla të mesme nga komuniteti egjiptian, ashkali dhe rom si dhe kemi ndarë 200,000 euro për qendra mësimore për fëmijët nga këto tri komunitete.
Me platformën Superpuna, po subvencionojmë 6 muajt e parë të punësimit me pagën minimale e cila ka kaluar në lexim të parë 264 euro. Kjo është një mundësi e artë edhe për të rinjtë e komunitetit egjiptian, andaj bëj thirrje për sa më shumë aplikime. Gjithashtu, nëpërmjet platformës “Kosova Generation Unlimited” ekziston mundësia për 6 muaj praktikë me pagesë, ku synojmë që 15% e praktikantëve të jenë për persona nga komunitetet.
Edhe muajve të ardhshëm kemi shumë mundësi të tjera për bashkëpunim dhe për forcimin e pozitës së komunitetit egjiptian. Në vjeshtë do të fillojë regjistrimi i popullsisë. Për herë të parë kemi siguruar të drejtën që çdo shtëpi të kërkojë që regjistruesi që merr informacion për familjen të jetë nga i njëjti komuniteti siç është shtëpia, kështu që do të kemi nevojë për regjistrues nga të gjitha komunitetet. Ju inkurajoj të gjithëve pra, që të jeni aktivë brenda komunitetit për të siguruar pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve në regjistrim të popullsisë, sepse duke pasur informata të sakta mund të ofrojmë shërbime për çdo person në Republikën tonë.
E dimë se ka ende sfida, por ato do t’i përballojmë bashkë. Për të parandaluar e luftuar diskriminimin, e kemi lansuar Platformën Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj Komunitetit Rom, Egjiptian dhe Ashkali. Ju inkurajoj që të raportoni çdo rast në www.raportodiskriminimin.org, në mënyrë që ekipi i veçantë i krijuar për këtë qëllim të mund të reagojë, siç ka ndodhur në rastet e deritanishme.
Unë jam këtu për të ju dëgjuar juve, andaj edhe po e përmbylli fjalën. Por, ju falënderoj edhe një herë për kontributin tuaj në ndërtimin e Kosovës tonë, si dhe për gatishmërinë tuaj që të jeni sot me ne për të vazhduar angazhimin e përbashkët.