Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar edhe sot bashkëbisedimin me bizneset. Sot mirëpriti përfaqësues nga Sektori i Plastikës, ku përveç ndërmarrësve, të pranishme ishin edhe ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Ai i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë bashkëbisedim për këtë temë aq të rëndësishme e vendimtare për transformimin socio-ekonomik të Kosovës dhe jo vetëm.
Duke marrë parasysh që hendeku i zotësive është një ndër faktorët që po shpie edhe tek emigrimi i vazhdueshëm, por edhe te problemet e ndryshme sociale kryeministri tregoi se e kemi vënë prioritet lidhjen e arsimit me ekonominë, derisa ura mes këtyre dyjave është sistemi dual i edukimit, përkatësisht arsimimi dhe aftësimi profesional.
Kësisoj, kryeministri sqaroi se në bashkëpunim të ngushtë me odat ekonomike dhe tregtare, me shoqatat sektoriale dhe ndërmarrjet aktive, arsimi dual sipas modeleve të vendeve gjermano-folëse ka nisur pilotimin në vitin 2022-2023 në katër shkolla profesionale, në tre komuna, me katër profile: kuzhinier, floktar, kamerier dhe murator. Ndërkaq tani, për shkak të interesimit të vet komunave dhe shkollave, viti shkollor 2023-2024, do të na gjej me 21 shkolla profesionale në 13 komuna ku do të ofrohen edhe tetë profile shtesë, përfshirë atë si rrobaqepës, automekanik, përpunues i metalit, përpunues i drurit, instalues i ngrohjes dhe klimatizimit, instalues elektrik, tregtar me shumicë dhe pakicë, dhe estetist.
“Ne jemi të interesuar pra që nevojat e industrisë dhe planprogramet e shkollave të komunikojnë me njëra-tjetrën dhe si Qeveri dëshirojmë të ndërmjetësojmë suksesshëm”, përfundoi kryeministri drejtuar ndërmarrësve duke i falënderuar për kontributin dhe angazhimin në fushën e tyre.
Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, pasi përshëndeti të pranishmit tha se jemi së bashku për të adresuar rolin kryesor të Arsimit dhe Aftësimit Profesional për rritjen e punësimit cilësor në vendin tonë, por edhe për zhvillimin ekonomik, mjedisor dhe ambiental të Republikës sonë. Ajo cilësoi se zhvillimi i sektorëve të industrisë përpunuese është shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit ngase kontribuon drejtpërdrejtë në rritjen e vlerës së prodhimit në vend dhe në rritjen e të punësuarve me profile të ndryshme.
Rëndësinë e zbatimit të mësimit dual e ritheksoi edhe njëherë gjatë bashkëbisedimit ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
“Mësimi në shkollat profesionale ofron disa mundësi, ofron mundësinë e zhvillimit të praktikës në objektin e shkollës, ku në shkolla kanë kabinetet dhe laboratorët, ku ata mbajnë mësimin profesional, punën praktike, ofron mundësinë e ofrimit të punës praktike në biznese për një kohë të caktuar dhe mësimin dual”, potencoi ajo ndër të tjera.
Gjatë bashkëbisedimit, përfaqësuesit e bizneseve të Sektorit të Plastikës shfaqën para kryeministrit dhe ministreve falënderimet e tyre për rolin dhe angazhimin konkret në këtë çështje.
Gjatë ditës, Kryeministrit gjithashtu do të zhvillojë një bashkëbisedim edhe me përfaqësues të bizneseve nga sektori i metaleve, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.