Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, bëri sot homazhe dhe vendosi lule te varri i veprimtarit dhe simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, me rastin e përvjetorin të pestë të ndarjes nga jeta.
Me këtë rast kryetari Glauk Konjufca tha se figura e Adem Demaçit zë njërin prej vendeve më të rëndësishme në historinë e re të kombit shqiptar, prandaj e konsideroi të rëndësishme që të kujtohet dhe nderohet figura, siç theksoi ai, më e shquar e popullit shqiptar në ish-Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore.
“Adem Demaçi për shqiptarët e pasluftës së Dytë Botërore ka qenë njëra prej figurave më të rëndësishme e cila ka arritur të artikulojë interesat më jetike të kombit shqiptar, duke filluar prej koncepteve të Kosovës Republikë, të bashkimit kombëtar dhe të së drejtës për vetëvendosje”, theksoi kryetari Konjufca.
Kreu i Kuvendit shtoi se Demaçi mbrojti të drejtat dhe liritë e popullit shqiptar, duke qenë prijës i shumë proceseve nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë.
“Adem Demaçi jo vetëm që i artikuloi, por i mbrojti ato me një sakrificë të pashembullt, duke qenë në krye të proceseve më të rëndësishme të popullit tonë. Aty ku ishin të gjitha përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave tona si popull, aty në rendin e parë ishte Adem Demaçi”, tha kryetari Konjufca.
Adem Demaçi me veprimtarinë e gjerë dhe me sakrificën e tij, shtoi më tej kryetari i Kuvendit, gjithmonë ka qenë frymëzim për brezat, duke lënë gjurmë të pashlyeshme dhe duke u bërë motiv edhe për institucionet e Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. tha se duke filluar prej viteve pesëdhjetë, atëherë kur u burgos për herë të parë e deri në vitin 1998, kur thirrja e kërkoi që të jetë në ballë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçi nuk ka dështuar asnjëherë. Ai gjithmonë i ka frymëzuar brezat me sakrificën dhe me veprimtarinë e tij, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe e cila është e rëndësishme edhe për ne, që vazhdojmë të jetojmë dhe vazhdojmë ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës institucionalisht dhe me përgjegjësi, thuhet në komunikatën për media e Kuvendit të Kosovës.