Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Programin Kombëtar të Shkencës 2023-2028, i cili do të shërbejë si një udhërrëfyes drejt zhvillimit të kapaciteve kërkimore-shkencore dhe inovative në vend.
Me këtë rast, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi rëndësinë e këtij dokumenti, i cili orienton politkat e kërkimit shkencor në Kosovë, e që përcakton objektivat dhe masat për të mbështetur koherencën e efiçiencës dhe efikasitetin e sistemit kombëtar të kërkimit shkencor.
Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci përmendi faktin se Këshilli Kombëtar i Shkencës (KKSh) është rifunksionalizuar në vitin 2022, pas më shumë se 10 vite pasivitet, pasi që nga viti 2011 ka qenë jofunksional, ndërsa Programit Kombëtar të Shkencës i ka kaluar afati në vitin 2015.
“Ky program është hartuar nga anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe ekspertë të tjerë relevantë, i përbërë nga 24 anëtarë të të gjitha fushave”, tha ajo, ndërsa përmendi kontributin e dhënë nga profesorë, studentë, ekspertë dhe akterë të tjerë në fazën e diskutimit publik të këtij programi.
Programi Kombëtar i Shkencës 2023-2028 ka si objektiva kryesore zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe ato të infrastrukturës në Kosovë, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, në rritjen e pjesëmarrjes së institucioneve kosovare dhe hulumtuesve për kërkime shkencore dhe inovacion në Zonën Evropiane për Kërkime (ERA) dhe rritjen e pjesëmarrjes në projektet shkencore në Evropë, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.