Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se një delegacion i komisionit vlerësues të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), i kryesuar nga presidenti i Komitetit Olimpik të Maltës, Julian Pace Bonello, dhe sekretari i përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filippousis, po qëndrojnë në Kosovë për të shqyrtuar dosjen e kandidaturës. Ata gjithashtu po bëjnë vlerësimin e gjendjes në terren si dhe po zhvillojnë takime me krerët institucionalë dhe komunitetin sportiv.
Mbështetjen e fuqishme që Qeveria po jep për organizimin e LM, e konfirmoi kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin e zhvilluar me ministrat Hajrulla Çeku, Hekuran Murati, Elbert Krasniqi, zëvendësministren Daulina Osmani, këshilltaren e lartë në MKRS, Nora Arapi Krasniqi, drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi dhe Besim Aliti, si dhe anëtarët e komisionit vlerësues.
Gjatë ditës së sotme ata janë mirëpritur edhe në KOK si dhe tutje nga nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.
Konsolidimi i imazhit të shtetit, forcimi i identitetit, modernizimi i infrastrukturës fizike, nxitja e ekonomisë me mundësi të reja pune dhe e turizmit sportiv, përmirësimi i politikave sociale dhe arritja e zhvillimit të qëndrueshëm në sport duke shfaqur rezultatet tona kulminante sportive në botë, janë disa nga përfitimet direkte të organizimit të LM në Kosovë, për çka jemi duke treguar gatishmëri të plotë.
Raporti përmbledhës i komisionit do të prezantohet në Asamblenë e Përgjithshme të ICMG-së, që mbahet më 8 shtator 2023 në Heraklion të Greqisë, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.