Asociacioni i Komunave të Kosovës ka njoftuar se Kolegjiumi i Drejtorëve Komunal të Arsimit me shqetësim ka marrë lajmin e Ministrisë së Arsimit për çështjen e furnizimit me libra shkollor.
Për Drejtoritë Komunale të Arsimit, është me rëndësi që mësimi të fillojë pa vonesa dhe viti i ri shkollor të gjejë nxënësit me libra.
AKK është e bindur që propozim vendimi i MASHTI-it do të krijojë vonesa dhe humbje efektive të mësimit.
Ministria e Arsimit nuk ka njoftuar Komunat për propozimet e reja dhe ato nuk kanë pasur paraprakisht asnjë njoftim zyrtar nga ana e Ministrisë.
Gjithsesi, si gjithmonë, Komunat janë të gatshme të ndihmojnë Ministrinë në shpërndarjen e teksteve shkollore.
Për ne është e domosdoshme që Ministria e Arsimit të sigurojë sa më parë librat shkollor, që mësimi të fillojë në kohë, e që humbjet e orëve të mos përsëriten sikur vitin e kaluar.
Në të kundërtën, barrën e vonesave do ta bartin nxënësit në mësimnxënie e prindërit në financim të librave, thuhet në postimin në Facebook të AKK-së.