Në një letër urimi ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kroacisë, Mario Banožić, uron ministrin Ejup Maqedoncin për emërimin e tij në detyrën e re.
Në letrën e ministrit Banožić vlerësohet parneriteti i shkëlqyer që ekziston ndërmjet dy shteteve bazuar në respekt dhe mirëkuptim. Ndërsa theksohet mbështetja e fuqishme e Kroacisë për Kosovën në rrugëtimin drejt anëtarsimit në organizatat euro-atlantike, si dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes shkëmbimit të eksperiencës, dijes dhe ofrimit të trajnimeve e edukimit ushtarak.
Në fund, ministri Banožić shpreh besimin e plotë se bashkëpunimi i shkëlqyer ndërmjet dy ministrive do të vazhdojë edhe gjatë mandatit të Ministrit Maqedonci, me synim fuqizimin e stabilitetit regjional si dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të lidhjeve në fushën politike, të mbrojtjes dhe atë ekonomike.
Edhe ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi, ka uruar ministrin Maqedonci për emërimin e tij në detyrën e re.
Në letrën e ministrit Peleshi rikonfirmohet se Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë do të vazhdojë angazhimin e plotë për mbështetje dhe përkrahje të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në rrugën e transformimit, modernizimit dhe integrimit në strukturat Euro-Atlantike. Ndërsa shpreh bindjen se bashkëpunimi i shkëlqyer bazuar në miqësinë e ndërsjelltë dhe mirëkuptimin ndërmjet dy institucioneve tona do të vijoj me të njejtin ritëm dhe përkushtim, me qëllim realizmin e projekteve tona të përbashkëta, thuhet në postimin në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes.