Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në prezantimin e programit të bursave të British Council “Gratë në STEM”, ku përfituese për vitin akademik 2023/2024 janë: Naile Haliti, Aulonë Fazliu dhe Erza Ahmeti.
Ministrja Nagavci e vlerësoi moment të rëndësishëm prezantimin e përfitueseve të bursave “Gratë në STEM”, me ç’rast falënderoi British Council për mbështetjen financiare që po ofron për vajzat dhe gratë, përmes këtij programi i cili është në linjë me politikat arsimore të MAShTI.
Ministrja Nagavci, uroi përfitueset e bursave që të jenë të suksesshme në drejtimet që kanë përzgjedhur e të bëhen model edhe për vajzat dhe gratë tjera në të ardhmen.
Ndër të tjera, Nagavci tha se, Ministria e Arsimit ofron mbështetje financiare për vajzat dhe gratë të cilat studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë për programet e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës, në mënyrë që ato të avancohen në shkencë e teknologji, por edhe të jenë të barabarta në të gjitha drejtimet.
Për programin e bursave që synon të rrisë mundësitë për vajzat dhe gratë në STEM foli edhe zëvendësambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Paul O’Coonor. Ai tha se ky program realizohet në partneritet me 21 universitete nga Britania e Madhe.
Ndryshe, ky është viti i tretë që British Council ofron bursa për fushat STEM, përmes të cilave ofron mbështetje financiare të cilat mbulojnë tarifat e shkollimit, shpenzimet e udhëtimit, akomodimin dhe qëndrimin gjatë studimeve, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.