SBASHK-u duke iu uruar punëtorëve të arsimit dhe gjithë nxënësve për vitin e ri shkollor, i ka falënderuar që kësaj radhe nuk kishin kërkesa për veprime sindikale dhe kjo ka dhënë shpresë se ky vit shkollor do të ketë fillim dhe rrjedhë të mbarë, por MASHTI u kujdes që kjo të mos ndodh duke sjell vendim të gabuar për tekstet shkollore, vendim ky që ka krijuar shqetësime e stres të punëtorët arsimorë në mësimin shqip, por dhe te kolegët në mësimin në gjuhën boshnjake e turke.
Të nderuarit mësimdhënëses të Kosovës ju keni qenë të përkushtuar në misionin e shenjtë të edukimit e arsimit të brezave nëpër vite e dekada dhe keni kaluar me sukses pengesat që na krijuan të tjerët. Ju lus që të angazhoheni maksimalisht e të kontribuoni aq sa mundeni që pajisja me tekste shkollore të bëhet në mënyrën më të mirë të mundur e sidomos për nxënësit që vijnë nga familje me gjendje më të rënduar ekonomike.
Anëtare e anëtarë të SBASHK-ut, ministrja Nagavci, në vend që të kërkojë falje nga prindërit, nxënësit e mësimdhënësit për problemin që ka krijuar lidhur me tekstet shkollore, ajo kishte bërë pyetje se kë përfaqëson Jasharaj.
Ajo, si duket, ka besuar se do të jep rezultate plani i saj dhe i ministrit Murati se duke krijuar pengesa, që nuk ndodhin në as një vend demokratik të botës, punëtorët e arsimit nuk do të regjistrohen si sindikalistë në e-Kosova dhe kështu do të shuhet SBASHK-u. Por, Nagavcit nuk ia paskan treguar lajmin se SBASHK-u nuk u shua, por vazhdon rrugëtimin me unitet të plotë e me shumë angazhime në shërbim të arsimit dhe do ta ngrit zërin në emër të anëtarësisë.
Pra, Jasharaj përfaqëson mijëra e mijëra anëtare e anëtarë të SBASHK-ut që nga çerdhet e deri në universitete. Nagavci me tendencën për të krijuar përçarje deklarohet se ky vendimi i ri për tekstet shkollore qenka edhe në shërbim të mësimdhënësve. Ajo, mbase ka menduar se kështu i kursen nga lodhja e ndarjes se teksteve shkollore për nxënësit e tyre, por ata nuk e duan këtë kujdes sepse me kënaqësi e të lumtur e kanë kryer këtë veprim duke i parë të gëzuar nxënësit për tekstet e reja shkollore.
Sa është kujdesur e kujdeset Nagavci për punëtorët e arsimit u pa kur i gëzohej angazhimit të Qeverisë për ndëshkim me ndalim pagash pse punëtorët e arsimit kishin qëndruar arsyeshëm në grevë. Dhe kur u bënte presion edhe me inspektorë që të mbajnë mësim për të kompensuar orët e humbura në grevë.
Ministre mos u mundoni kot se sindikatën tonë u munduat ta shuani, por SBASHK ishte dhe mbetet sindikatë e punëtorëve të arsimit që nga çerdhet e deri në universitete dhe do të vazhdojë të jetë zë i tyre, thuhet në komunikatën për media e SBAShK-ut.