Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, morën pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës që u zhvillua në bazën ajrore në Ramstein të Gjermanisë.
Sot u mbajt takimi i 15-të i Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ku morën pjesë ministrat dhe shefat e mbrojtjes së mbi 50 vendeve të botës që përbëjnë koalicionin e madh të mbeshtetësve të Ukrainës, që prej fillimit të agresionit rus në këtë shtet.
Takimi u drejtua nga sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, Lloyd Austin, dhe u fokusua në vijimin e ndihmës konkrete ushtarake për Ukrainën nga vendet e këtij koalicioni.
Në kuadrin e këtij eventi, ministri Maqedonci dhe Gjenerallejtënant Jashari patën rastin që të zhvillojnë edhe një takim të veçantë me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacionet, Tom Goffus, me të cilin diskutuan për zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe situatën e përgjithshme të sigurisë në vend, thuhet në postimin në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes.