Shpallen fituesit e Çmimit të BE-së për Gazetari Hulumtuese 2023 në Kosovë. Çmimi i BE-së për Gazetari Hulumtuese zbulon me krenari fituesit e jashtëzakonshëm të edicionit 2023 në Kosovë, duke festuar përkushtimin dhe përsosmërinë e gazetarëve në Kosovë. Këto çmime vlerësojnë arritjet e jashtëzakonshme të gazetarëve hulumtues në kontributin për lirinë e shprehjes, sundimin e ligjit dhe transparencën.
Pas shqyrtimit të kujdesshëm nga paneli ynë i jurisë, fituesit janë si më poshtë:
Vendin e parë e ka Kreshnik Gashi, nga Kallxo.com, për serinë “Blerja e Kryeprokurorit I dhe II”, artikull gazetaresk hulumtues që ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në ekspozimin e korrupsionit të profilit të lartë. Hulumtimi i zhvilluar përgjatë dy viteve prezanton prova, deklarata dhe dokumente konkrete, duke hedhur dritë mbi një skandal korrupsioni në lidhje me një biznesmen dhe një prokuror në Kosovë.
Vendi i dytë i takon Dafina Halilit, nga Kosova 2.0, për tregimin “Shkollat fantazmë, shkollat geto dhe ndërrimet e segreguara”, një hulumtim që mbulon diskriminimin ndaj fëmijëve romë dhe ashkali në Kosovë. Artikulli ekspozon praktikat diskriminuese brenda shkollave anembanë Kosovës.
Vendin e tretë e fitoi Saranda Ramaj, nga Koha.net, për serinë e artikujve “Abuzimet me Fondin për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike”. Seria e artikujve hulumton korrupsionin dhe keqmenaxhimin në sektorin e shëndetësisë në Kosovë. Shkrimet kanë rezultuar edhe me hetime dhe shkarkime të disa akterëve të shëndetësisë, të cilët ishin përgjegjës për keqmenaxhimin.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, ambasadori i BE-së në Kosovë, Z. Tomas Szunyog, i uroi fituesit, dhe foli për rëndësinë e gazetarisë hulumtuese në Kosovë.
Fondi i çmimeve për tregimet është 10,000 euro, ku tre tregimet më të mira të vitit kanë fituar 5,000 euro (vendi i parë), 3,000 (i dyti) dhe 2,000 (i treti).
Këtë vit, përveç çmimeve kombëtare, Çmimi i BE-së do të shpallë edhe tregimet më të mira rajonale. Kjo kategori e re është një zhvillim emocionues që do t’i inkurajojë gazetarët të mendojnë përtej kufijve kombëtarë dhe të trajtojnë çështje që prekin të gjithë rajonin, dhe fituesit do të shpallen në tetor.
Çmimi i BE-së për Gazetari Hulumtuese është pjesë e projektit “Forcimi i lajmeve cilësore dhe gazetarisë së pavarur në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi II”, me synimin e tërheqjes së vëmendjes dhe promovimit të arritjeve të jashtëzakonshme të gazetarëve hulumtues dhe me synimin e rritjes së dukshmërisë së gazetarisë hulumtuese cilësore në këto vende.
Organizator i çmimit është Thomson Media, një organizatë me përvojë dekadash në zhvillimin e medias dhe promovimin e lirisë së medias në nivel global.
Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga një konsorcium i përbërë nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN Hub, Universiteti i Evropës Qendrore (CEU) – Hungari, Shtip (UGD) – Maqedonia e Veriut, Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias (SSNM) – Maqedonia e Veriut, Asociacioni i Mediave të Evropës Juglindore (MASE) – Mali i Zi dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese në Kosovë (BIRN Kosovë), thuhet në komunikatën për media e EU Awards.