Avokati i Popullit publikoi Raportin Ex-officio 648/2021 në lidhje me vlerësimin e qasshmërisë së trotuareve dhe hapësirave publike me ndikim në lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe respektimin e së drejtës për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm jetësor.
Rezultatet e hulumtimit në terren nxjerrin në pah një sërë problemesh që prodhojnë barriera fizike, dhe që krijojnë kufizime në qasje të lirë dhe të pavarur në hapësirat publike për personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, prindërit me fëmijë të vegjël, apo nga kushdo tjetër që në momente të caktuara mund të ketë vështirësi për qasje në mjedise publike.
Si të tilla pengesa evidentohen: mungesa e elementeve taktore; prania e pengesave fizike në hapësirën e trotuareve, që bllokojnë, uzurpojnë, zënë, ngushtojnë hapësirat publike; mungesa e rampave qasëse; dëmtimet në materializimin e trotuareve; shpeshherë punët jocilësore publike që rezultojnë me sipërfaqe trotuaresh që shemben, çahen apo zhvendosen, duke krijuar gropa e hendeqe, që pengojnë dhe ndonjëherë rrezikojnë këmbësorët; mungesa e vendparkimeve të dedikuara për personat me aftësi të kufizuara, ose ndërtimi i tyre në kundërshtim me standardet dhe normat teknike të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Pas hulumtimit të realizuar në terren dhe mbi bazën e të gjeturave, Avokati i Popullit konstaton se hapësirat publike për këmbësorë dhe vendkalimet për këmbësorë nuk janë përshtatshmërisht të qasshme për të gjithë qytetarët, e veçanërisht për Personat me Aftësi të Kufizuara. Për më tepër, ky hulumtim vë në pah mungesën e zbatimit të standardeve dhe të kontrollit sipas normave teknike të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 33/2007 për Kushtet Teknike të Objekteve Ndërtimore për Qasjen e Personave me Aftësi të Kufizuara si dhe legjislacionin në fuqi për planifikimin hapësinor.
Raporti është realizuar pas një hulumtimi në qytetin e Prishtinës, Prizrenit dhe të Ferizajt, dhe përveç analizës ligjore të legjislacionit në fuqi të planifikimit hapësinor dhe të ndërtimit, është kryer edhe nga verifikimi i gjendjes në terren.
Avokati i Popullit bazuar në të gjeturat nga terreni dhe pas analizës së legjislacionit në fuqi, adresoi rekomandime për autoritetet kompetente, thuhet në komunikatën për media e Avokatit të Popullit.
Raporti i plotë -> https://bit.ly/3Zz5q8t