Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z. Ahmet Ismaili me bashkëpunëtorë, priti sot në takim Shefin e BERZH-it në Kosovën z. Sergiy Maslichenko.
Maslichenko së bashku me ekipin e tij e uruan Guvernatorin z. Ismaili për emërimin në pozitën e Guvernatorit të BQK-së dhe i ofruan bashkëpunim dhe mbështetje.
Guvernatori Ismaili i falënderoi për kontributin dhe bashkëpunimin e deritanishëm në sektorin financiar, sektorin privat, si dhe kontributin për ekonominë e Kosovës në përgjithësi.
Në takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen për avancimin e fushave të ndryshme lidhur me objektivat e BQK-së, përfshirjen financiaren dhe qasjen në financa, ekonominë e gjelbër, stabilitetin e sistemit financiar dhe sistemin e depozitave.
Guvernatori Ismaili shpalosi planet për zbatim gjatë mandatit të tij për avancimin e BQK-së, lidhur me avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, reformimin e sistemit të pagesave, edukimin financiar dhe fushave të tjera me rëndësi që lidhen me objektivat e BQK-së.
Në takim u konkludua se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe BERZH-it do të vazhdojë edhe në të ardhmen lidhur me zhvillimin e sektorit financiar, si dhe asistencën teknike profesionale që lidhet me rregullativën ligjore, thuhet në komunikatën për media e BQK-së.